AlbanianSport.com 16/01/2021 23:55
ASNN – Janë luajtur të shtunën 5 nga 6 ndeshjet e javës së 8-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Femra. Kjo javë u hap me supersfidën Partizani-Vllaznia, që u mbyll me rezultatin 0-5. Ndeshja nisi e vrullshme nga të dyja palët por ishte Albina Rrahmani ajo që hapi serinë e golave për ekipin e Vllaznisë në minutën e 27-të. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1 në favor të Vllaznisë.
Në pjesën e dytë, Zarka shënon golin e dytë për shkodranet në minutën e 52-të, ndërsa në minutën e 59-të ishte Megi Doçi ajo që shënoi golin e 3-të nga pika e bardhë e 11-metërshit. Levenaj shënoi golin e radhës për Vllazninë në minutën e 64-t, ndërsa Esmeralda Franja vulosi fitoren me shifrat 0-5 në minutën e 84-të. Për Partizanin, kjo ishte humbja e 3-të radhazi.
Skuadra kryeqytetase është pozicionuar tashmë në vendin e 7-të ndërsa Vllaznia mban vendin e parë, duke kryesuar në kampionat me 3 pikë më shumë se Apolonia. Tri ndeshje të tjera u luajtën duke nisur nga orën 13:00 dhe vajzat e Akademisë AAS pritën në Shkodër Kinostudion, një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet, por që përfundoi në favor të mikeve, me rezultatin 0-7.
Juban Danja-Skënderbeu, ndeshja tjetër e vlefshme për javën e 8-të të Kampionatit të Femrave u mbyll me rezultatin 4-0, duke i dhënë kështu 3 pikë të vlefshme ekipit të Juban Danjës. Dygolëshi i Jakut, në minutën e 5-të dhe të 17-të, dhe golat e Selimit në minutën e 41-të dhe Vasës në minutën e 43-të, vulosën fitoren e vajzave të Jubanit.
Tirana mori një fitore ndaj Lushnjës së vendit të 9-të. Ndeshja që u luajt në Stadiumin “Roza Haxhiu” në Lushnjë, u dominua nga Tirana, që e nisi serinë e golave në minutën e 10-të me golin e Vishkullit dhe vijoi me Kodrën në minutën e 15-të. Goro shënoi 4 gola, në minutat 38, 43, 52 dhe 74. Muho shënoi dy herë në portën e lushnjareve, në minutat 47 dhe 90.
Simoni, Metalla dhe Aliaj shënuan në këtë fitore të Tiranës që tashmë e sheh veten në vendin e tretë. Ndeshja e fundit e javës së 8-të, Tirana AS-Apolonia përfundoi me shifrat 0-2. Goli i parë i sfidës u shënua në minutën e 66-të, me Feratajn që kaloi fieraket në epërsi. Në minutën e 89-të, Gashi shënoi golin e dytë dhe të fundit të sfidës, që u fitua nga skuadra mike.
Apolonia vazhdon të mbajë vendin e dytë në kampionat, ndërsa Tirana AS është në kuotën e 16 pikëve. Dueli i fundit të renditjes, Bilisht Sport-Teuta u ndërpre për shkak të kushteve atmosferike.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 8-të:
Partizani – Vllaznia 0-5
Akademia AAS – Kinostudio 0-7
Juban Danja – Skënderbeu 4-0
Lushnja – Tirana 0-11
Bilisht Sporti – Teuta (U shty)
Tirana AS – Apolonia 0-2
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Vllaznia 24
- Apolonia 21
- Tirana 19
- Juban Danja 18
- Tirana AS 16
- Kinostudio 15
- Partizani 9
- Akademia AAS 9
- Teuta 3
- Skenderbeu 3
- Lushnja 3
- Bilisht Sport 0