AlbanianSport.com 16/01/2021 22:10
ASNN – Pas dy ndeshjeve të para, të luajtura të premten, të shtunën janë luajtur 3 takimet e tjera të Kategorisë Superiore dhe në dy prej përballjeve të luajtura përkatësisht në Fier dhe në kryeqytet, kanë fituar ekipet vendase, ndërsa në Korçë kanë fituar miqtë. Kështu, Partizani dhe Tirana i janë përgjigjur Teutës dhe, në distancë, edhe Vllaznisë, pasi kanë mposhtur përkatësisht Skënderbeun në fushë të huaj dhe Kastriotin në shtëpi.
Ndërkaq, ka ardhur një humbje për Laçin, që u thye në Fier nga Apolonia, e cila mori 3 pikët kundër bardhezinjve të pompuar si kandidatë për të fituar titullin. Partizani e mposhti Skënderbeun me rezultatin 1-2, teksa të kuqtë shënuan dy gola në 7 minutat e para të ndeshjes. Bardhi dhe Solomon realizuan me kokë, ndërkohë që në të njëjtën mënyrë për korçarët realizoi Mensah në pjesën e dytë, por Skënderbeu nuk ka mundur dot të shmangë humbjen.
Ndërkaq, në kryeqytet, Kastrioti befasoi me Devidin, i cili shënoi për krutanët. Megjithatë, Tirana reagoi dhe, fillimisht, barazoi me Bathën, e më pas, kaloi edhe në epërsi me Muçin, duke u rikthyer te fitorja me rezultatin 2-1. Dhe, së fundmi, në Fier Mario Gjata shënoi për Apoloninë që në minutën e 20-të, gol që mbeti në fuqi deri në fund.
Laçi realizoi në minutat shtesë të pjesës së parë me Harmonin, por anësori e anuloi për pozicion jashtë loje dhe polemikat pritet të jenë të shumta. Kështu, java e 14-të e Kategorisë Superiore uli sot siparin me 3 sfidat e zhvilluara në orën 13:45, ku nuk munguan surprizat si dhe ndryshimet në pozicionet e renditjes. Skuadra e Skënderbeut që drejtohet nga Juljan Ahmataj preku të shtunën vendin e fundit, pas humbjes në shtëpi ndaj Partizanit.
Korccarët u parakaluan nga Apolonia që triumfoi ndaj Laçit. Ndërkohë për sa i përket kreut, Vllaznia vijon të ruajë diferencën prej 9 pikësh nga ndjekësit më të afërt, Partizani dhe Teuta, teksa Tirana është ngjitur në vendin e 4-t me pikë të barabarta me Laçin, me nga 20 secila. Në kuotë të njëjtë pikësh, 17, ndodhet edhe Kastrioti i vendit të 6-të dhe Kukësi i vendit të 7-të, si dhe Bylisi e Apolonia që ndajnë vendin e 8-të dhe të 9-të, me nga 12 pikë.