AlbanianSport.com 16/01/2021 21:15
ASNN – Pas hapjes së kampionatit të futbollit për femra për shkollat 9-vjeçare në Zonën Rajonale të Fierit, kjo risi e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka nisur këtë javë edhe për shkollat 9-vjeçare në Zonën Rajonale të Shkodrës.
Në këtë kampionat marrin pjesë shkollat më të mëdha dhe të përzgjedhura të qytetit verior, që do të jenë të atashuara pranë ekipeve kryesore të qytetit dhe do të shërbejnë si bazë për gjetjen e elementeve cilësore për të ardhmen. Ky është një projekt i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ai ka si qëllim kryesor mbështetjen dhe afrimin e vajzave në futboll. Projekti parashikon krijimin dhe mbështetjen e 100 ekipeve të shkollave 9-vjeçare në të gjithë Shqipërinë, që do të nisë me 60 ekipe për dy sezonet e para 2020-2022 dhe deri në vitin 2024, do të formohen 100 ekipe.
Këto do ta kthejnë futbollin e femrave në një lëvizje të mirëfilltë sportive. Federata Shqiptare e Futbollit do t’i mbështesë shkollat dhe vajzat duke dhuruar uniforma, topa si dhe duke mbështetur financiarisht edhe mësuesit e edukimit fizik për punën që do të realizojnë.
Rezultatet e javës së parë:
Ismail Qemali – Ndoc Mazi 1-8
Azem Hajdari – Ali Lacej 1-2
Haxhi Hajdari – Ndre Mjeda 0-4
Vasil Shanto – Skënderbeg 4-0
Adem Haxhija – Shtoj i Vjetër 1-1