AlbanianSport.com 16/01/2021 20:20
ASNN – Peterhansel i Francës ka fituar “Relli Dakar 2021”. Për të është hera e 14-të që triumfon në kategorinë e makinave në këtë garë. Në kategorinë e motorëve, fitues u shpall piloti nga Argjentina, Benavides. Kështu, Stefan Peterhansel është fitues i “Relli Dakar 2021”. Për francezin, kjo është hera e 14-të, që fiton garën më të lodhshme në kalendarin e motorsportit. Peterhansel, i njohur ndryshe me nofkën “Z. Dakar”, ka fituar 8 herë në kategorinë e makinave dhe 6 herë kategorinë e motorëve.
Piloti 55-vjeçar i skuadrës “Mini|, i ndihmuar nga bashkëpiloti Eduard Bulanzher, e përfundoi gjithë veprimtarinë 14 minuta e 51 sekonda përpara pilotit nga Katari, Naser Al-Atijah me “Toyota” dhe spanjollit Karlos Sainz. Ky i fundit fitoi etapën e 12-të dhe të fundit, nga Janbuja në Xhid’dah, duke u ngjitur kështu në podium një tjetër pilot me “Mini”. Peterhanseli tha se ai ende kishte “të njëjtin emocion” si ai pas fitores së tij të parë në vitin 1991.
“Të fitosh në Dakar është gjithmonë me të vërtetë e ndërlikuar, – ka vijuar piloti francez. – Nuk ka fitore të lehta në Dakar. Kjo nga jashtë mund të duket e lehtë, por nuk ishte e lehtë çdo ditë për të menaxhuar diferencën e vogël me Naserin. Fitorja ime e parë me motor është e preferuara ime, sepse ishte ajo për të cilën unë ëndërroja shumë dhe tani është me të vërtetë një bonus. Fitorja është gjithmonë një emocion i madh, por fitorja e parë ishte më e mira.”
Kevin Benavides i Argjentinës fitoi kategorinë e motorëve, duke lënë pas Riki Brabek të Shteteve të Bashkuara, me 4 minuta e 56 sekonda. Britaniku Sem Sandërlend, “kampioni” i vitit 2017, përfundoi i treti. Benavides, i cili theu hundën gjatë një përplasje në etapën e 5-të, bëhet amerikanojugori i parë që fitoi në kategorinë e motorëve, duke e quajtur atë “absolutisht të çmendur”.