AlbanianSport.com 15/01/2021 21:55
ASNN – “Ekspresi kuqeblu” nuk ka të ndalur! Vllaznia ka mposhtur Kukësin me rezultatin 1-0 në sfidën e zhvilluar të premten në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke siguruar kështu fitoren e 10-të në këto 14 javë të këtij sezoni të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, fitore që e konfirmon gjithmonë e më tepër kandidaturën e saj për titullin “kampion”.
Ishte sulmuesi Arlind Kalaja, ai që me golin e tij i dhuroi 3 pikë të arta skuadrës së Brdariç, duke zhytur kështu në krizë të thellë rezultatesh Kukësin. Për verilindorët e Hallaçit kjo ishte humbja e katërt radhazi në 5 ndeshjet e fundit. Vendimtar një lojtar që ka luajtur me Kukësin, Arlind Kalaja.
Shkodrani zëvendësonte Ardit Hoxhajn, i cili është pezulluar për dy ndeshje për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen me Teutën, dhe e shpërbleu besimin e stafit teknik. Një gol që u shënua në fillimin e pjesës së dytë dhe kishte protagonist edhe Herald Markun, i cili goditi fort dhe portieri Tafa nuk e kontrolloi dot topin.
Imeri mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, por nuk ishte i saktë. Kukësi, që pësoi humbjen e katërt radhazi në kampionat, iu afrua barazimit në minutën e 70-të, kur Hetemaj brenda zonës goditi shtyllën pingule. Vllaznia me fat në atë moment, por dominuese në përgjithësi. Në fund fitoi me meritë.