AlbanianSport.com 14/01/2021 20:10
ASNN – Në kuadër të javës së 14-të të Kategorisë Superiore, Vllaznia përballet me Kukësin, në takimin që do të luhet të premten në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 18:00. Verilindorët janë një nga dy skuadrat që e kanë mundur në fazën e parë me disa mungesa, por kjo nuk e shqetëson trajnerin Tomas Brdariç. Në konferencën për shtyp të së enjtes ka qenë edhe futbollisti Arlind Kalaja, i cili ka luajtur më parë për Kukësin.
“Po është e vërtetë që kam qenë pjesë e Kukësit më parë, por nga ajo periudhë thuajse nuk ka mbetur asnjë lojtar, është vetëm Vesel Limaj, i cili edhe ai nuk e di nëse do të jetë gati për nesër, – ka thënë mesfushori shkodran. – Unë e pres me shumë dëshirë ndeshjen dhe uroj që të dalim fitimtarë prej fushës.” Kalaja ka sqaruar se gëzon një formë të mirë sportive dhe pret momentin e tij. Por nga ana tjetër, ka shprehur bindjen se edhe ndaj Kukësit, Vllaznia do të tregojë vlerat e saj dhe do të synojë vetëm fitoren.
“Pak para fillimit të sezonit kam patur një dëmtim që më ka marrë jo pak kohë, – ka deklaruar 25-vjeçari. – Por di të them se gjatë gjithë kësaj periudhe kam patur mbështetjen e gjithë stafit dhe në momentin që jam kthyer , janë mundur të më japin minutat që kisha nevojë dhe tani jam gati për të luajtur.” Duke bërë një analizë të ecurisë së kuqebluve, ai ka këmbëngulur se “ecuria e deritanishme është meritë e grupit, e stafit teknik, e bordit drejtues”.
“Në ekip ekziston një atmosferë shumë e mirë, jemi një grup shumë i lidhur dhe kjo transmetohet shumë qartë edhe në fushën e lojës sepse është e dukshme, – pohon ai ai. – Uroj që këto rezultate të vazhdojnë kështu dhe të arrijmë objektivat e ekipit.” Futbollisti shkodran mendon se sfida e së premtes do të jetë ndryshe nga ajo e Shkodrës. “Mendoj se ndeshja e fazës së parë kur na mundi Kukësi në Shkodër, ka qenë një ndeshje episodesh dhe rezultati nuk ka treguar fytyrën e vërtetë të ndeshjes”, – tha Kalaja.
“Absolutisht që e kemi përgatitur mirë ndeshjen e nesërme, – vijoi mesfushori. – Ajo e kaluara na ka bërë mirë sepse e kemi njohur më mirë kundërshtarin, por i dimë aftësitë tona dhe nuk duam të mendojmë më për të shkuarën, por për të ardhmen.” Në mbyllje, futbollisti shkodran ka folur edhe për atë që trajneri Tomas Brdariç ka sjellë tek Vllaznia. “Unë mendoj se një ndër cilësitë ndryshe që ka trajneri ynë, është komunikimi, mënyra si në flasim me njëri- tjetrin dhe si ai na bën të ndihemi”, – tha ai.
“Na lejon të shprehemi lirshëm në fushën e lojës dhe ky mendoj se çelësi i suksesit, komunikimi dhe mënyra si punon me ne në anën psikologjike, por edhe në atë taktike, teknike, etj.”, – ka përfunduar futbollisti i Vllaznisë, Arlind Kalaja, duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten, një ditë para përballjes me Kukësin.