AlbanianSport.com 13/01/2021 18:25
ASNN – Drejtori Ekzekutiv, Novak, letër qeverisë shqiptare, reagon edhe FSHB-ja. Ngërçi që ka përfshirë lojërat me dorë për shkak të epidemisë së virusit “Covid-19” ka sjellë edhe reagimin e organizmave ndërkombëtarë dhe është “FIBA Evropë”, federata që qeveris basketbollin kontinental, që i ka dërguar një letër qeverisë shqiptare. Letra e nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i “FIBA Evropës”, Kamil Novak, theksohet se “diskutimet midis sportit dhe qeverisë duhet të shkojnë në të njejtën linjë dhe jo në kahe të kundërta, njëkohësisht kërkohen konsultime dhe dëshirë për mirëkuptuar të dyja palët”.
Duke iu referuar kontakteve me Ministrat e Sportit të Bashkimit Evropian, Novak thekson se të gjithë Ministrat konfirmuan se “Të mos luash nuk është zgjedhje”, duke argumentuar se një koncept mjekësor është krijuar, zhvilluar dhe miratuar për garat përkatëse. “Unë e di, se ju do të merrni një propozim të detajuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit, që shoqëron këtë letër”, – thotë zyrtari i koshit kontinental, i cili, më tej vijon: “Do të këmbëngulja që ju dhe kolegët tuaj, ta merrni në konsideratë të lartë përmbajtjen e saj.”
“Përveç përfitimeve fizike dhe emocionale nga ushtrimi me sport, mendojmë se ka dhe një sfidë të madhe, ajo e shëndetit mendor, – ka kujtuar Novaku. – Askush nuk dëshiron shkurtime apo vakum, por duam që të konsiderohet e gjithë tabloja sportive, për të cilën jemi të sigurt se jeni të angazhuar për ta bërë.” në mbyllje Drejtori Ekzekutiv i “FIBA Evropës”, thekson se Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) është profesionale dhe kompetente aq sa duhet që t’i besohet në mënyrë absolute zbatimi i të gjitha udhëzimeve dhe rregulloreve e protokolleve për shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve, për rifillimin e lojës.”
“Ne sinqerisht kërkojmë prej jush, t’u besoni atyre për rihapjen e sigurt të basketbollit në Shqipëri”, – përfundon letra e Kamil Novakut. Ndërkaq, bashkangjitur me këtë letër, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, u ka drejtuar një shkresë autoriteteve shtetërore, ku, ndër të tjera, vihet në pah fakti se, për shkak të pezullimit të sportit, Shqipëria u përjashtua nga Evropiani i Femrave, ndërsa pjesëmarrja e Kombëtares së koshit të meshkujve u reduktua në një paraqitje për të ardhur keq.
“Kemi hyrë në muajin e 11-të të moszhvillimit të aktivitetit tonë sportiv, që jo vetëm sjell humbje të mëdha në burime njerëzore, me efekte të jashtëzakonshme financiare, sociale dhe shëndetësore, por ndjell frikë dhe pasiguri për vazhdimësinë”, – thekson ndër të tjera shkresa e nr. 2 të organizmit që qeveris basketbollin shqiptar, që në mbyllje shpreh besimin për një përgjigje pozitive dhe hapjen e dritës jeshile për basketbollin.