AlbanianSport.com 13/01/2021 17:30
ASNN – Përveçse e ka mbyllur 2020-ën në vendin e parë të renditjes së grupit A, apo grupit të Veriut të Kategorisë së Parë, 18-herë kampionia e Shqipërisë ka pushtuar titujt e lajmeve sportive të ditëve të para të vitit të ri, duke sjellë në Tiranë dy emra të njohur të futbollit përtej Adriatikut, siç janë Françesko Moriero dhe Fabricio Mikoli. Në fakt, ndikimi në grupin aktual duket se ka qenë i menjëhershëm dhe këtë e pohon edhe futbollisti italian, Damiano Pontreli, i cili beson tek ndryshimet që po bëhen.
“Po le të themi që është ende herët që të ndryshojnë gjërat, – thotë ai. – Padyshim, fizionomia e tyre në aspektin sportiv na ka rritur përqendrimin, sepse janë dy persona që, në botën sportive, i kanë dhënë historisë së futbollit italian. Kështu që kemi respekt maksimal për ta dhe, kur priten ndryshime, edhe përqendrimi rritet dhe prandaj skuadra është shumë e përqendruar dhe urojmë që këto ndryshime të jenë edhe më të dobishme sesa ato të mëparshmet.”
Sulmuesi 25-vjeçar përcjell optimizmin që gëlon në skuadër. “Sigurisht që ne të gjithë besojmë tek ngjitja më lart, – thotë ai. – Jemi grup fantastik, një familje, kështu që i kemi të gjitha ato që na duhet për t’u ngjitur në Superiore. Të humbasësh është e thjeshtë, të fitosh është gjithmonë e vështirë. Por ne do të luftojmë deri në fund për ta çuar këtë skuadër aty ku e meriton të jetë”, – ka përfunduar futbollisti i Dinamos, Damiano Pontreli.