AlbanianSport.com 12/01/2021 22:55
ASNN – Leverkuseni mund 4-1 Eintrahtin e Frankfurtit, të mërkurën në RTSH Sport Holshten Kil-Bajern Mynih. Kupa e Gjermanisë në futboll është një nga ekskluzivitetet e spikatura sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar. Dhe të martën në mbrëmje, në kuadër të turit të saj të 32-shes, ka ardhur drejtpërdrejt në platformën e transmetuesit publik një nga përballjet më të spikatura. Një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, është edhe veprimtaria e dytë e futbollit gjerman, Kupa e Gjermanisë, e cila vijon të dhurojë spektakël dhe të papritura.
Tanimë kjo veprimtari po përmbyll turin e 32-shes dhe të martën, transmetuesi publik, në kanalin RTSH Sport, ka sjellë takimin e fundit të 3 prej përballjeve janë midis ekipeve të Bundesligës së parë, siç ishte ai midis Bajer Leverkusenit dhe Eintrahtit të Frankfurtit. Kanë qenë miqtë që kanë kaluar në epërsi pas vetëm 6 minutash lojë, me anë të Amin Junesit. Por vendasit do të nisin të reagojnë dhe do të fitojnë një 11-metërsh, që do të shndërrohet në gol në minutën e 28-të nga Alario. Në barazim 1-1 do të mbyllet pjesa e parë.
Ndërsa me fillimin e së dytës, në minutën e 49-të, Leverkuseni do të gjejë golin e dytë, me autor Tapsobën, duke përmbysur kështu shifrat në favorin e saj. Në minutën e 67-të, Musa Diabi do të thellojë epërsinë e vendasve, duke i çuar shifrat në 3-1. Ndonëse Leverkuseni do të mbetet me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Xhonatan Tahut dhe Frankfurti do të kërcënojë të gjejë, por pa e arritur dot, golin e dytë, janë vendasit që do të shfrytëzojnë më së miri kundërsulmin dhe do të gjejnë edhe golin e 4-t, me autor Diabinë.
Ai firmos kështu dygolëshin e tij personal në këtë takim 3 minuta para fundit të ndeshjes. Nuk ka më histori dhe Bajer Leverkuseni mposht Eintrahtin e Frankfurtit 4-1 dhe shkon në shortin e 16-shes së Kupës së Gjermanisë, që do të njohë të mërkurën edhe skuadrën e fundit që do ta plotësojë këtë tablo, që do të dalë nga dueli midis Holshten Kilit dhe Bajernit të Mynihut.