AlbanianSport.com 12/01/2021 19:15
ASNN – Ish-futbollisti pohon se është “një shpresë e madhe, pavarësisht se me terrenet do jetë tepër e vështirë”. Andrea Marko ka dhënë opinionin e tij në lidhje me zhvillimet më të fundit te skuadra e Dinamos, e cila i është besuar Françesko Morieros dhe Fabricio Mikolit. Në një lidhje direkte me emisionin Rubrika Sportive në Radio Tirana, Marko ka theksuar: “Pas asaj periudhe të vështirë, që solli dhe rënien nga kategoria të skuadrës, me ardhjen e drejtuesve italianë, mendoj se Dinamo në këtë sezon ka bërë një katapultim, duke kryesuar në grupin e vet dhe duke shpresuar shumë për tu rikthyer te emri i lavdishëm”.
“Jemi dhe përballë faktit, që kemi një trajner të larguar që ka meritat e veta për fazën e parë, duke krijuar një grup simpatik, me tepër ego, me karakter luftarak, – ka vijuar analizën e tij ish-futbollisti i njohur i bluve kryeqytetas. – Mënyra e vendosjes së skuadrës, nuk kishte më një hallakatje si dikur, të gjithë përpara, po dukej dora e trajnerit dhe lojtarët me aftësi të mira arritën të krijonin këtë pamje të Dinamos, që shpreson për të ardhmen”.
“Oshilacionet dhe peripecitë që kanë ndjekur Dinamon, kuptohet që pa iu larguar një analize të thellë, besoj që kanë problematikën e tyre. Por tani duhet të shikojmë se çfarë mund të ndodhe me ardhjen e stafit të ri italian. Është rikthyer një shpresë e madhe, pavarësisht se me terrenet e ka tepër të vështirë. Besoj se do të ketë problem dhe në organizimin e klubit, sepse duhet patjetër shtëpia e vet. Tani mbetet për tu parë se si do të luaj Dinamo nën drejtimin e stafit të ri”, – ka përfunduar Andrea Marko.