AlbanianSport.com 11/01/2021 21:05
ASNN – Presidenti i Dinamos, Marko Pontreli, beson se ardhja e dy emrave të njohur të futbollit italian, si ish-lojtari i Interit, Françesko Moriero, dhe ish-lojtari i Juventusit dhe përfaqësueses axurre, Fabricio Mikoli, do t’i japë një tjetër shtysë ekipit të tij në betejën për rikthimin, pas shumë vitesh në Kategorinë Superiore.
Dinamo e mbylli 2020-tën në krye të renditjes së grupit A, apo grupit të Veriut, dhe, pasi e ka shpëtuar sezonin e shkuar nga rënia një kategori më poshtë, italiani i bluve të kryeqytetit beson se ka ardhur koha për t’u rikthyer në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Në një intervistë të posaçme për AlbanianSport.com, Pontreli flet për dyshen e re teknike, për misionin e ringjitjes së Dinamos, por edhe për merkaton e 18-herë kampionëve të Shqipërisë.
– Kanë ardhur dy ish-lojtarë të njohur të futbollit italian… A është ky basti yt më i madh?
– Për mua, ky nuk është një bast. Mua sot më jep mjaft kënaqësi të kem këtu një ish-lojtar të madh të Dinamos, si Sulejman Demollari, por edhe që kam zgjedhur këta dy kampionë të mëdhenj që, le të themi, i njohim të gjithë. Ata kanë ardhur këtu me një mision të qartë, janë të dy mjaftueshëm profesionistë dhe unë kam nevojë për profesionistë. Sidoqoftë, kanë vetëm 5-6 ditë që kanë ardhur këtu dhe kanë marrë në dorë drejtimin e skuadrës së Dinamos. Dhe sot kam ardhur për ta kaluar gjithë ditën me ta dhe me skuadrën, për të kuptuar se cili është itinerari që do të përshkojmë.
– Po a është ky rrugëtim një mision i mundshëm?
– I mundur apo i pamundur, le t’ia lëmë kohës ta tregojë. Për mua është një mision që duhet përballuar ditë pas dite, me sakrifica të mëdha, me përkushtim dhe profesionalizëm, në administrim, në futboll. Kështu që, për mua, e pamundur nuk është asgjë, sepse, derisa bëmë mrekullinë e mbijetesës sezonin e shkuar, gjithçka është e mundur.
– Do të ketë lojtarë të rinj që do të vijnë tek Dinamo?
– Sapo kemi hapur fushatën për përforcime të reja, duke u mbështetur mbi reflektimin që kemi bërë këto ndeshjet e fundit. Unë po merrem personalisht me këtë çështje, duke vënë re që Dinamo ka nevojë për ca përforcime, në ca pika strategjike do të ishte më e mira për ne duke patur parasysh atë që na pret.
– Po a ka kandidatura konkrete?
– Po, jemi në bisedime të vështira me dy kandidatura, por po punoj pandërprerë personalisht për këtë. Shpresoj që t’ia arrijmë për të mirën e këtij grupi të madh, që duhet thënë se është i veçantë.
– A do të jetë ky një kampionat i vështirë deri në fund?
– Kampionatet janë gjithmonë të vështirë dhe asnjëherë nuk ka gjë të lehtë. Por ne do të bëjmë tonën dhe mundësitë janë të mëdha.