AlbanianSport.com 08/01/2021 20:55
ASNN – Pas ndërprerjes së fundvitit si rrjedhojë e festave, këtë fundjavë rikthehet Kampionati Kombëtar i Futbollit për Femra, për të luajtur ndeshjet e javës së 7-të të tij. Në gjashtë duelet e kësaj jave spikasin përballjet Tirana-Juban Danja dhe Kinostudio-Partizani.
Vajzat bardheblu ndodhen në vendin e 5-të, në kuotën e 13 pikëve, dhe do të kenë përballë Jubanin, që, me 15 pikë mban vendin e 3-të në renditje, me pikë të barabarta me Apoloninë. Kjo e fundit pret këtë javë shkodranet e Akademisë “AAS” në fushën e vet, në Fier.
Në Kamëz, do të luajë vendi i 6-të dhe i 7-të me Kinostudion që pret Partizanin, që luan edicionin e parë në Kampionatin e Femrave. Tirana AS udhëton drejt Korҫës, ku do të përballet me Skëndërbeun. Kurse Vllaznia kryesuese do të luajë të dielën në Stadiumin “Reshit Rusi” përballë Teutës së vendit të 10-të.
Një ndeshje që parashikohet e lehtë në letër për shkodranet. Interesant është dueli ndërmjet Lushnjës dhe Bilisht Sport, me të dy skuadrat që ndodhen në kuotën e 0 pikëve dhe të shtunën në Stadiumin “Roza Haxhiu” kanë mundësinë të marrin pikët e para për këtë sezon.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 7-të:
Të shtunën, 9 janar 2021:
Lushnja – Bilisht Sport ora 13:00
Tirana – Juban Danja ora 13:00
Skëndërbeu – Tirana AS ora 13:00
Apolonia – Akademia AAS ora 13:00
Të dielën, 10 janar 2021:
Kinostudio – Partizani ora 13:00
Vllaznia – Teuta ora 14:00