Gjergj Vyshka 06.12.2014 07:50
Kampionia e botës në stilin e shkëputjes ka rezultuar përdoruese e substancës së ndaluar stanozolol. Tronditet peshëngritja shqiptare nga rastet e përdorimit të substancave të ndaluara. Federata Botërore e Peshëngritjes, në faqen e saj zyrtare në internet www.iwf.net, pikërisht në rastet e reja të kapura me përdorim të substancave të ndaluara, quajtur ndryshe “doping”, ka përmendur emrin e peshëngritëses shqiptare Romela Begaj, e cila në Botërorin e Të Rriturave, në Almati të Kazakistanit, është shpallur “kampione e botës” në stilin e shkëputjes.
Ja se çfarë shkruan Federata Botërore e Peshëngritjes në faqen e saj zyrtare për rastin Begaj: “Federata Botërore e Peshëngritjes bën të ditur se në analizën A të kontrollit antidoping të peshëngritëses Romela Begaj është gjetur përdorimi i substancës së ndaluar, stanozolol. Në këtë rast, peshëngritësja është e pezulluar përkohësisht për dhunim të rregullave të antidopingut duke përdorur substanca të ndaluara. Në çdo rast në të cilin do të vërtetohet se peshëngritësja nuk ka dhunuar rregullat e antidopingut, kjo pas kërkesës për bërjen e analizës B, apo dhe daljes përpara një komisioni dëgjimi për t’u mbrojtur dhe për të vërtetuar që është e pastër, atëherë do të publikohet vendimi i ndryshuar.”
“Deri në atë moment Federata Botërore e Peshëngritjes nuk do të bëjë më komente të tjera dhe kjo derisa të mbyllet plotësisht si çështje”, – përfundon njoftimi i IWF-së. Dhe në fakt me këtë lloj qëndrimi të Federatës Botërore të Peshëngritjes, e cila tashmë e ka pezulluar sportisten duke e mbajtur si të dyshuar për përdorim të substancave të ndaluara, ndërsa rrezikon pezullimin dyvjeçar, është pajtuar dhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Ashtu sikurse janë pajtuar dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, apo dhe Ministria e Arsimit e Sportit, të cilët e kanë pritur dhe e kanë nderuar sportisten si Kampione e Botës.
Por që dje, me këtë lajm bombë që ka tronditur përsëri peshëngritjes shqiptare, askush nuk ka folur.