AlbanianSport.com 06/01/2021 23:15
ASNN – Duke filluar nga sezoni i ri, ai i 2021-shit, Formula 1 ka vendosur t’i rikthejë garat në orën 14.00. Në vitin 2018, Çmimet e Mëdha nisnin në orën 15:10 dhe ky ndryshim u bë për të rritur audiencën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por pas kërkesave të vetë skuadrave pjesëmarrëse në Formula 1, kjo e fundit ka vendosur të rikthejë orarin e mëparshëm të nisjes së garave.
Kështu, Formula 1 duket se do t’i kthehet garave të zhvilluara në orën 14.00, sipas orës evropiane. Që nga viti 2018, Formula 1 i ka nisur garat një orë më vonë, pra në orën 15.10 pasdite. Ndryshimi u bë si pjesë e një nxitjeje nga pronarët e rinj të Formulës 1, “Liberty Media” në përpjekje për të rritur audiencën televizive, sidomos në SHBA.
Në atë kohë, Formula 1 pati bërë një deklaratë të tillë: “Disa televizione nuk arrijnë të transmetojnë drejtpërdrejt në atë orë, duke humbur tensionin dhe emocionin që karakterizojnë minutat para fillimit të secilës garë. Falë këtij ndryshimi, shikuesit e televizionit do të afrohen me ekipet dhe pilotët në mënyrë që të shijojnë plotësisht spektaklin e ofruar pak para se të fiken dritat e kuqe në semafor.”
Por lëvizja mbrapa e garave në orën 15.10 pasdite, sillte probleme edhe te vetë skuadrat. Personeli i ekipeve të Formula 1, vërtet kishte më shumë kohë për t’u përgatitur për garën, por nga ana tjetër, ndërlikohej koha e vendosjes së makinave në vendet e caktuara pas garës si dhe vazhdimësia me ceremoninë e dhënies së medaljeve.
Ndaj Formula 1 u ka propozuar skuadrave që nga ky sezon, koha e fillimit të garës të zhvendoset përsëri në orën normale, 14:00. Sipas burimeve brenda skuadrave, të gjitha ekipet janë në favor të ndryshimit, i cili duhet të ratifikohet zyrtarisht së shpejti. Koha e saktë e fillimit të garave që nuk zhvillohen në zonën evropiane do të zhvendoset për t’u përshtatur më së miri me audiencat e tyre.