AlbanianSport.com 05/01/2021 22:25
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” të gazetares Albana Bejko në RTV Ora, ku ka bërë një bilanc të vitit 2020 dhe ka analizuar ngjarjet kryesore të futbollit shqiptare. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar ka folur për epideminë dhe ndikimin që Covid-19-ta pati gjatë këtij viti të vështirë, ndrysa ka bërë edhe një bilanc të Kombëtares dhe ekipeve zinxhir kuqezi.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka prekur edhe çështjen e bojkotit të klubeve dhe shpreson akoma që qeveria të ndihmojë sportin, duke plotësuar kërkesat e drejta të komunitetit të futbollit, ndërkohë që sa i përket objektivave ai shprehet se Kombëtarja do të tentojë të arrijë në “play-off”-in e Botërorit 2022 pavarësisht se përballë do të ketë rivalë mjaft të fortë. Në vijim, AlbanianSport.com ju sjell pjesën e 6-të dhe të fundit të kësaj interviste:
– Për në fund kam përgatitur një pyetësor të shkurtër. Ju keni kaluar shumë trajnerë dhe kapitenë në Kombëtaren shqiptare dhe janë pikërisht trajneri dhe kapiteni ata të cilët kanë edhe më shumë komunikim me presidentin e Federatës. Kështu që do të doja të ma zbulonit, cili ka qenë sipas jush trajneri më profesionist në këto rreth 20 vite në Kombëtaren shqiptare?
– Është pyetje e vështirë, sepse të gjithë kanë karakteristikat e tyre. Unë i vlerësoj të gjithë pozitivisht në fakt të gjithë trajnerët me të cilët kam bashkëpunuar, por ai që ka lënë gjurmë në histori është Xhovani De Biazi, sepse u kualifikua për në finalet e Evropianit “Francë 2016”. Rezultatet i japin të drejtë De Biazit dhe gjithashtu kapitenit të tij, Lorik Cana. Uroj që të na çojë Edi Reja me Elseidin apo Etritin sërish në Evropian dhe pastaj radhën tjetër do të them për këto.
– Trajneri më zhgënjyes për ju? Besoj se a pasur edhe trajnerë që ju kanë zhgënjyer?
– Në fakt, më zhgënjyesi për mua ka qenë Kristian Panuçi.
– Në rang kapitenësh a ka pasur ndonjë që ju ka zhgënjyer?
– Kapitenët që kemi pasur janë të gjithë të mirë. Sinqerisht, nuk e them sepse rëndom duhet të flasësh mirë, por në përgjithësi ne kemi fat me djemtë që luajnë në Kombëtare. Kemi pasur vazhdimisht djem shumë të mirë dhe shumë të edukuar, të përkushtuar. Padyshim që mosha në të cilën luajnë nga 20 deri në 30 vjeç po themi është relativisht një moshë e re, por mënyra se si sillen, mënyra se si përkushtohen në ekip është vërtetë për t’u lavdëruar. Unë e njoh shumë mirë edhe botën e futbollit përtej kufijve shqiptarë dhe mendoj që jemi me fat me të gjithë djemtë që luajnë në përfaqësuesen tonë. Dhe kapitenët që janë zgjedhur kanë pjesë pikërisht e këtyre brezave kaq pozitivë. Ndërsa sa i përket karakteristikave të kapitenit, lider lind dhe këtu nuk duhet të gjykosh. Ndaj Lorik Cana në një farë mënyre është një lider i lindur. Të tjerët janë shumë të mirë, por të jesh lider është pak i vështirë.
– Ju përmendët Panuçin si trajnerin më zhgënjyes dhe në fakt një vit më parë është përfolur se trajneri hapi një gjyq ndaj FSHF dhe kërkonte një sasi të konsiderueshme parash. Çfarë ka ndodhur më këtë çështje?
– Ai vazhdon të kërkojë bonuse për fitoret e ekipit Kombëtar pasi ai është larguar nga ekipi, gjë që ne nuk e gjykojmë të drejtë dhe jemi në gjyq.
– Po trajneri më kërkues ndaj Presidentit, cili ka qenë?
– Në fakt, trajnerët kanë një lloj karakteristike të përbashkët. Sa më shumë të fitojnë, aq më shumë kërkojnë, kur humbasin kërkojnë më pak. Në fakt, duhet të jetë e kundërta, kur humbasin duhet të kërkojnë më shumë, por tërhiqen pak kur humbasin dhe kur fitojnë kërkojnë shumë që të gjithë.
– Trajneri më strikt e që kishte një disiplinë të hekurt në raport me skuadrën?
– Korrekt kanë qenë të gjithë, të disiplinuar, por i besojnë asaj që thonë dhe kontrollojnë diçka më pak në përgjithësi. Ai që ka qenë më strikti e që ndiqte parimin beso-kontrollo, ka qenë Dosena.
– Ka pasur trajnerë me të cilët ju keni ruajtur raporte miqësore. Kush është trajneri me të cilin ju jeni miq të mirë?
– Kam marrëdhënie të mira me të gjithë ata që kanë qenë trajnerë në Shqipëri. Fatkeqësisht dy prej tyre janë ndarë nga jeta, së fundmi Oto Bariçi, familjen e të cilit gjej rastin ta ngushëlloj publikisht. Një super-trajner dhe një super-njeri, një profesor i vërtetë. Me të gjithë kam ruajtur kontaktet, madje edhe me Brigelin, i cili ka punuar për ne rreth 18 vjet më parë.
– Një ndër detyrat e kapitenëve është edhe diskutimi i shpërblimeve. A ke pasur ndonjë që ka qenë më rebeli në këtë drejtim?
– Asnjëri, të gjithë kanë qenë shumë të mirë. Në të gjithë ekipet e tjera mbase flasin që përpara ndeshjeve për premiot, ndërsa djemtë tanë kurrë nuk na pyesin a do të ketë premio apo jo. Pas ndeshjes padyshim që të gjithë gëzojnë, por gjithmonë në kufijtë e të bukurës.
– A mund ta zbulojmë shpërblimin më të madh që është marrë ndonjëherë në Kombëtare?
– Padyshim që ka qenë për pjesëmarrjen në Europian.
– Ju falënderoj. Ishte një intervistë shumë e këndshme dhe ju urojmë suksese në këtë vit të ri. Sukseset e Federatës përkthehen edhe në sukseset e futbollit shqiptar, kështu që këtë duam të shohim, një futboll sa më të fuqishëm dhe sa më të bukur e cilësor për tifozët tanë.
– Faleminderit juve. Edhe unë dua t’ju uroj juve dhe të gjithë atyre që na ndjekin, të gjithë komunitetit sportiv dhe të gjithë shqiptarëve, një vit sa më të mbarë 2021, sa më të shëndetshëm e sa më të suksesshëm.