AlbanianSport.com 05/01/2021 18:40
ASNN – Zyrtarizohet grupi i ri teknik i bluve të kryeqytetit, Pontreli: “Zgjodha cilësinë për ringritjen”. Është bërë të martën prezantimi i stafit të ri teknik të Dinamos, të përbërë nga trajneri Françesko Moriero dhe ndihmësi i tij, Fabricio Mikoli Sipas presidentit Marko Pontreli këta janë dy emra të njohur për publikun shqiptar nga futbolli italian, por që kanë ardhur në Tiranë për t’i rikthyer një emri të madh si Dinamo lavdinë e dikurshme. Ky ka qenë me pak fjalë thelbi i prezantimit të martën të stafit të ri teknik të Dinamos, të përbërë nga trajneri Françesko Moriero, ndihmësi i tij, Fabricio Mikoli, dhe përgatitësin atletik, Kristian Parabita.
Duke falënderuar trajnerin e mëparshëm, Fabricio Kamarata, presidenti Marko Pontreli ka sqaruar edhe arsyet e zgjedhjes së tij. “Pretendohet që me trajnerin e ri të kalojmë në një nivel tjetër cilësie, – ka thënë ai. – Zgjodha një dyshe trajnerësh mjaft të kualifikuar dhe që janë të njohur në rangun ndërkombëtar. Do të donim t’i jepnim Dinamos një zgjim të fuqishëm. Nuk është faji që Dinamo që nuk kem stadium. Kam gjetur një klub pa qendër sportive, pa lojtarë, pa fanella. Tani kemi dy fusha në dispozicion. Këta zotërinj kanë vlerësuar më shumë miqësinë se paratë, ndryshe nuk do të ishin këtu. Tifozët më kuptojnë se e kam shpëtuar klubin.”
“Skuadra është përforcuar për të luftuar, pastaj futbolli ka dinamika të tjera, – ka vijuar kreu i klubit dinamovit. – Nuk dua të futem në historinë e kaluar të Dinamos. Nuk më interesojnë problemet dhe kush e ka patur fajin. Dinamo ka një identitet, si me rezultate pozitive dhe negative, unë e mbaj përgjegjësinë.” Sa i përket trajnerit Moriero, ai është i ndërgjegjshëm për peshën e detyrës që ka marrë përsipër. “Jo çdo gjë është paraja, – ka theksuar ai. – Kam ardhur më parë këtu të vëzhgojë disa lojtarë. Krijuam lidhje me Pontreli. Presidenti më thirri në Romë një bashkëbisedim. U fol për një ekip që është në vendin e parë. E kuptova rëndësinë e saj.”
“Objektivi jonë primar është të vazhdojmë me këto rezultate, – ka vijuar ish-futbollisti i Interit. – U thashë djemve në stërvitje se duhet të punojmë çdo ditë për të punuar. Të jemi me këmbë në tokë. Gjëja më e rëndësishme është të shkruajmë historinë. Kam luajtur në shumë klube. Nuk di të shkëpusë një rast. Dua që Dinamo të krijojë identitetin e saj. Kam parë ndeshjet bashkë me Fabricion. Dinamo ka shumë potencial. Nuk mund t’ju jap një premtim në këtë moment, sepse premtimet nuk ekzistojnë në futboll. Ndeshjet do t’i marrim me radhë dhe t’i fitojmë”. Ndërkaq, zv/trajneri Fabricio Mikoli synon që një ditë Dinamo të bëhet si Benfika.
“Morieron e kam mik, është përvoja e parë si trajner, – ka thënë ai. – Nëse do të duhet që Dinamo të shënojë, do të futem në fushë. Identeti i klubit fillon nga të rinjtë që është përgjegjësia ime te Dinamo. Po të zgjidhja si shembull, do të veçoja Benfikën, sepse ka prodhim në madh në çdo sport.”