AlbanianSport.com 04/01/2021 22:25
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për emisionin “Ora Sport” të gazetares Albana Bejko në RTV Ora, ku ka bërë një bilanc të vitit 2020 dhe ka analizuar ngjarjet kryesore të futbollit shqiptare. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar ka folur për epideminë dhe ndikimin që Covid-19-ta pati gjatë këtij viti të vështirë, ndrysa ka bërë edhe një bilanc të Kombëtares dhe ekipeve zinxhir kuqezi.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka prekur edhe çështjen e bojkotit të klubeve dhe shpreson akoma që qeveria të ndihmojë sportin, duke plotësuar kërkesat e drejta të komunitetit të futbollit, ndërkohë që sa i përket objektivave ai shprehet se Kombëtarja do të tentojë të arrijë në “play-off”-in e Botërorit 2022 pavarësisht se përballë do të ketë rivalë mjaft të fortë. Në vijim, AlbanianSport.com ju sjell pjesën e 3-të të kësaj interviste:
– Ndalemi pak te sezoni futbollistik. Kemi hyrë në fazën e dytë në Kategorinë Superiore. Tashmë i shohim skuadrat që janë në krye të tabelës, ato më pretendente për titull deri diku, që shfaqen edhe aspiratat për këtë arritje apo edhe për Evropën. Nuk e di si e keni parë këtë fillim sezoni. Është rritur cilësia? Pretendimet duken se janë rritur, sepse ka shumë skuadra që pretendojnë. Por a është rritur apo është ulur cilësia e lojës?
– Viti 2020 ka qenë vit i vështirë, ka ndikuar në performancën e futbollistëve dhe ekipeve. Dhe unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë rritje kualitative le të themi gara, sepse në një garë, kur 5 futbollistë i ke jashtë me Covid, që nuk duhet të stërviten një muaj dhe duhet të rikthehen dhe ndërprerje, etj., padyshim që edhe nuk mund të pretendojmë për një rritje cilësie. Por një rritje konkurrence po. Ka pasur konkurrencë. Por faktikisht edhe në edicionin e kaluar, relativisht konkurrenca ka qenë e tillë. Ka pasur konkurrencë dhe të gjithë ekipet janë në garë dhe të gjithë ekipet mund të vazhdojnë të pretendojnë titullin. Të gjithë ekipet e Kategorisë Superiore. Rezultatet kanë qenë interesante. Ka pasur edhe lojëra të bukura në fakt, ka pasur një rikthim simpatik të Vllaznisë, pas shumë vitesh vuajtje, tashmë në vendin e parë, me lojëra të bukura, me gola të shënuar, me një organizim akoma më të mirë. Ekipet e tjera të cilat nuk mbeten pas nga pikëpamja sportive, Partizani që fitoi ndeshjen e fundit kundër Kukësit, por gjithsesi Kukësi mbetet një ekip solid, i mirë, me kualitet. Tirana, Teuta, Laçi ka një ekip i cili mund të pretendojë. Kështu që gara është e bukur për mua deri tani dhe uroj të vazhdojë e bukur deri ditën e fundit.
– Do të ishte më mirë që titulli pas dy vitesh të kalonte në rrethe? Ndoshta për t’i dhënë pak jetë?
– Titulli nuk rrotullohet në tavolinë, por në fushë. Kështu që do ta fitojë titullin, ai që do të bëjë një kampionat më të mirë. Unë kam qenë tifoz i Vllaznisë dhe më pëlqen që Vllaznia të dalë kampione.
– Meqenëse jemi te Vllaznia, ka pasur disa polemika kohët e fundit, në ndeshjen midis Vllaznisë dhe Partizanit, ku u pa që kishte edhe një numër të konsiderueshëm tifozësh në shkallët e stadiumit. Është marrë një vendim, një gjobë 2 milionë lekë të vjetra ndaj klubit, ndërkohë që raste të tilla kanë ndodhur edhe në ndeshje të tjera si derbi. Pse Komisioni i Disiplinës veproi në këtë mënyrë me këtë masë vetëm ndaj Vllaznisë dhe jo në rastin e derbit? Ka një lloj anësie?
– Respektimi i protokolleve anti-covid është më shumë i rëndësishëm për shëndetin e njerëzve, për shëndetin e atyre që vijnë në stadium, shëndetin e sportistëve dhe të gjithë atyre drejtuesve të skuadrave. Vetë klubet duhet të jenë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme që t’i respektojnë ata. FSHF përmes zyrtarëve të saj duhet të kërkojë respektimin maksimal të tyre, në bashkëpunim edhe me autoritetet shëndetësore. Por nëse ka raste që e cenojnë dhe ato që janë rregulla të zbatohen për të gjithë njësoj. Nëse ka një anësim, gabim është. Nëse një rast është gjobitur dhe një jo, nëse një është paralajmëruar dhe një jo. Varet nga gjykimet që kanë bërë dhe nga faktet. Në përgjithësi protokollet janë respektuar. Mund të ketë pasur ndonjë rast të veçantë, siç thoni në Shkodër apo ndonjë rast tjetër. Por mirë është të mos ndodhin. Thashë mos të ndodhin më shumë për të ruajtur jetën dhe për të penguar sa më shumë shpërndarjen e virusit.
– Ndërkohë, ka pasur edhe disa ndryshime të rëndësishme në statutin e FSHF-së. Disa ndryshime që është thënë janë marrë nga modelet e statutit të UEFA-s dhe FIFA-s dhe kanë qenë pika të diskutueshme ato të kandidimit të individëve që duan të marrin pjesë në garën për president të Federatës. Fakti që duhet të jetë rezident në Shqipëri, një pikë që ka qenë edhe më parë dhe tjetra që individi nuk duhet të jetë aktiv në politikë. Pavarësisht se janë modele të marra dhe pozitive, mos ndoshta janë përshpejtuar për të favorizuar Dukën në zgjedhjet e ardhshme?
– Statuti nuk ka asnjë ndryshim në këtë pikë. Para se të vija unë në Federatë dhe pasi jam unë, kjo pikë nuk ka ndryshuar asnjëherë. Ka qenë pa asnjë presje, që të jesh president i Federatës së Futbollit duhet të jesh rezident në Shqipëri. Dhe unë e konsideroj të drejtë. Kjo nuk do të thotë që nëse ti jeton jashtë dhe je shqiptar dhe nuk ke të drejtë të kandidosh. Duhet të vish në Shqipëri, të thuash që do të konkurroj për president të FSHF-së, por gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës duhet të jesh rezident në Shqipëri. Dhe unë mendoj që është logjike. Është e vështirë ta bësh nga jashtë. Gjithsesi nuk është një gjë që ka lidhje me ndryshime, siç dikush ka dashur ta interpretojë ashtu. Nuk ka asnjë lidhje. Përsa i përket personave politikë, tendenca për shkëputjen e politikës me sportin ka qenë e përhershme, në të gjitha ndryshimet e statutit në shkallë të ndryshme. Në ndryshimin e fundit akoma më shumë. Janë vënë disa kritere tani, që pengojnë vërtetë vartësinë politike të FSHF-së nga ndonjë parti politike. Kështu që janë politika të qarta, jo vetëm të FSHF-së, por të gjithë Federatave të Europës. Madje, Kosova që ne e kemi afër, pikërisht këtë ndryshim e ka bërë që 3 vite më parë. Madje, edhe deputetët më duket se i ka përjashtuar nga kandidimi. Nuk ka asnjë të keqe. Federata e Futbollit duhet të menaxhohet dhe drejtohet nga njerëzit që mendojnë vetë njerëzit e futbollit.