AlbanianSport.com 23/12/2020 23:15
ASNN – Mançester Junajtid është gjysmëfinalistja e 4-t dhe e fundit e Kupës së Ligës Angleze, pasi veprimtarie e 3-të e futbollit anglez ka mbyllur të mërkurën në mbrëmje fazën e çerekfinaleve. “Djajtë e kuq kanë fituar me dy gola në Stadiumin “Gudison Park” ndaj Evertonit vendas, të shënuar në fundin e ndeshjes.
Në fakt, takimi që, sikundër edhe 3 duelet e para çerekfinaliste është sjellë të mërkurën në mbrëmje për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka parë miqtë të mbizotërojnë në pjesën e parë, duke ndërtuar raste për shënim, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Për rrjedhojë, 45 minutat e para janë mbyllur në barazim 0-0.
Ndërsa ato të dytat kanë qenë shumë më të baraspeshuara, me një lojë më të disiplinuar nga të dyja skuadrat, që nuk lëshojnë terren. Sidoqoftë, cilësia do të bëjë dallimin, pasi dy minuta para fundit të kohës së rregullt, Marsial do të pasojë për Kavanin, i cili godet zgjuarsisht në kufijtë e zonës dhe do të përshëndesë rrjetën. Do të jetë vetë Marsial që do të dyfishojë epërsinë e “Djajve të kuq” në minutat shtesë dhe bashkë me këtë gol, do të sigurojë edhe vendin e Mançester Junajtid në gjysmëfinale.