AlbanianSport.com 23/12/2020 21:45
ASNN – Tirana nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Kukësit në javën e 10-të të kampionatit, një rezultat që e lë plot 8 pikë prapa Vllaznisë kryesuese dhe 3 pikë pas verilindorëve. Duke pas ndeshjes, për mikrofonin e Supersport, trajneri i Tiranës, Nevil Dede, analizoi këtë përballje, duke u shprehur se “u prishën ekuilibrat gjatë gjithë kohës”. “Kur e kthenim topin prapa, gabonim, – pohoi ai. – Sidoqoftë, do të thoja ishte një paraqitje pozitive. Lodhja ndihej, shpresojmë që Sasraku mos ketë të ketë një dëmtim serioz.”
“Mund të bënim diçka më shumë, por kemi kundërshtarët të fortë përpara që kanë investuar, – ka vijuar trajneri bardheblu. – Ishte një përballje kokë më kokë. Ishim vendosur me 3 qendër në mbrojte. Vrapi ishte një përzierje midis pozicionit 4 dhe 5. Halili ishte më shumë sulmues. Po të shtynim më shumë në pjesën e parë, mund të godisnim kundërshtarin. Përballë një kundërshtari të tillë, edhe barazimi është i drejtë. Kampionati është i gjatë, skuadrat janë të forta. Do të ishte kënaqësi në qoftë se e zgjidhnim ndeshjen në atë mënyrë me Muçin në fund, por nuk qe e thënë.”
Dede nuk e ka fshehur se Tirana e tij nuk është aq agresive sa ç’duhet para portës, por e përligj këtë teksa thekson se “është skuadër e re, ka pak emra nga viti i kaluar”. “Shkuam pak te porta, ndeshjet e kaluara nuk kemi qenë kaq të vakët, – ka vijuar ai. – Edhe mund ta zgjidhësh ndeshjen me një situatë, duke qenë në ekuilibër. Ky grupi i ri dhe këta elementë më bën të mendojmë që mos ç’ekuilibrohemi kur kemi topin dhe të marrim më të mirën nga këta lojtarë.” Në vijim, kreu i stolit të kampionëve në fuqi ka folur edhe për përforcimet e mundshme.
“Di që palët janë në negociata me Ferhan Hasanin, – ka thënë ai. – Nuk kam informacion më shumë.” Më pas, trajneri i Tiranës ka folur edhe për grupin që ka në dispozicion. “Unë këtë skuadër kam gjetur, po mundohem të marr maksimumin nga këta lojtarë, – ka thënë ish-lojtari bardheblu. – Kampionati është i gjatë, ngarkesa është e madhe. Kemi dhe lojtarë që presim të rikthehen. Duhet të pranojmë realitetin. Në këtë gjendje që jemi ky është 70%-80% i skuadrës. Ka lojtarë që po japin mbi 100% e tyre. Dua t’i komplimentoj.”