AlbanianSport.com 23/12/2020 18:45
ASNN – Vllaznia e thellon në 5 pikë epërsinë në krye të renditjes, Kukësi dhe Tirana ndahen në “paqe”. Janë luajtur të mërkurën të gjitha ndeshjet e javës së 10-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe Vllaznia e ke thelluar në 5 pikë epërsinë në krye të renditjes. Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore ka luajtur të mërkurën të gjitha ndeshjet e javës së tij të 10-të, që ishte edhe java e parë e fazës së dytë.
Dhe Vllaznia nuk ka gabuar në Fier, teksa ka marrë pasdreke një fitore minimale, por mjaft të vyer ndaj Apolonisë, me një gol të shënuar në fundin e pjesës së parë nga Ardit Hoxhaj. Kjo fitore nënkupton se shkodranët e kanë thelluar tanimë në 5 pikë epërsinë që gëzojnë në krye të renditjes, në kuotën e 22 pikëve. Kjo u bë e mundur edhe falë barazimit të bardhë që Kukësi dhe Tirana arritën midis tyre në takimin e vetëm të mbrëmjes.
Tirana mbetet në vendin e 5-të, në kuotën e 14 pikëve, po aq sa ka edhe Laçi, që më herët mundi 2-0 në fushën e vet Bylisin. Ndërkaq, dy ekipet që përfituan më së shumti janë Partizani dhe Teuta, që nuk gabuan përkatësisht në Tiranë ndaj Kastriotit dhe në Korçë ndaj Skënderbeut. Të kuqtë kryeqytetas kanë korrur një fitore e përvuajtur përballë krutanëve, që është arritur vetëm në minutat e fundit. Cara ishte protagonist me golin e shënuar në minutën e 85-të dhe, më pas, edhe me 11-metërshin e fituar dhe të kthyer në gol më pas nga Asani, në minutën e dytë shtesë.
Ndërkaq, në Korçë, durrsakët e mbyllën pjesën e parë në epërsi minimale, falë golit të Bregut, dhe ndonëse Pusi barazoi shifrat për vendasit në 10 minutat e para të së dytës, Krasniqi menjëherë më pas dhe Emiljano Vila 16 minuta para fundit të kohës së rregullt, vulosën fitoren e Teutës, që tani ndan vendin e 3-të dhe të 4-t me Partizanin, me nga 16 pikë, një më pak sesa Kukësi i vendit të dytë dhe 6 më pak sesa Vllaznia kryesuese.