AlbanianSport.com 23/12/2020 17:15
ASNN – Skuadra e tij mori një fitore të vështirë ndaj Apolonisëtë mërkurën, duke triumfuar minimalisht në Fier. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, është shprehur se nuk është i lumtur me sulmin, teksa tregon se kundërshtari më i vështirë në Superiore ka qenë Laçi. Në fillim, ai është pyetur në ishte ky reagimi që priste trajneri nga skuadra?
“Bëmë dy ndeshje të mira në pak ditë, – ka deklaruar gjermani i stolit shkodran. – Nuk është e lehtë të luash për 3 ditë. Kemi pasur probleme me fushën. Jam i pakënaqur me sulmin, pasi mund të kishim shënuar golin e dytë dhe të tretë që të ishim më të qetë. Do mundohemi ta rregullojmë këtë pjesë.” Trajneri pohon se një rezultat minimal nuk është kurrë një garanci. “Apolonia nuk na vendosi shumë në vështirësi, – vijoi ai analizën e tij. – Megjithatë rezultati 1-0 është i rrezikshëm.”
“Kur nuk shënon u jep besim atyre, pasi është e hapur ndeshja, – ka vijuar ish-futbollisti i njohur. – Nuk dua të flas për emra të veçantë.” Trajneri i Vllaznisë është pyetur në vijim edhe për Ismail Dungën? “Ne jemi optimistë për rikthimin e Dungës, – ka theksuar ai. – Është një lojtar shumë i mirë dhe i rëndësishëm. Është një mungesë e madhe për ne. Nuk e kemi një datë se kur mund të rikthehet.”
Në fund, trajneri i Vllaznisë është pyetur edhe për rivalët teksa është mbyllur faza e parë dhe ka nisur e dyta. “Çdo ndeshje është e vështirë, – ka thënë Tomas Brdariç. – Mendoj se me Laçin ishte një ndeshje e vështirë javën e kaluar. Pritej që ata të kishin shumë pikë. Duhet të marrim çdo ndeshje një e nga një, ky kampionat do jetë i vështirë. Jemi të parët dhe po e shijojmë.”