AlbanianSport.com 22/12/2020 21:15
ASNN – Konflikti midis Novak Gjokoviçit dhe ATP-së vazhdon. Tenisti serb ka hyrë në Shoqatën e re të Profesionistëve të Tenisit (PTPA), një shoqatë alternative ndaj Shoqatës së Lojtarëve të Tenisit (ATP). Dorëheqja e Gjokoviçit nga ATP-ja, ka ardhur me pamundësinë e tij për të qenë pjesë e të dy shoqatave në të njëjtën kohë. Përmes rrjeteve të tij sociale, Djokovic njoftoi në një deklaratë dorëheqjen e tij për të qenë pjesë e Këshillit të Lojtarëve të ATP.
“Së pari do të doja të them se, si gjithmonë, i jam mirënjohës ATP-së për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm që më ka treguar, duke më zgjedhur në krye të saj, për t’i shërbyer interesave kolektive të lojtarëve në Këshill, – ka thënë ai. – Reagimi im i parë ndaj këtij emërimi ishte ta pranoja atë, me synimin që, do të bëja çmos për të mbrojtur interesat e lojtarëve brenda ATP-së.”
Por tenisti serb e përligji pamundësinë për të qenë pjesë e këtij Këshilli, sepse sipas rregulloreve të miratuara nga vetë ATP-ja, nuk lejohet anëtarësimi në dy shoqata, pasi ai tashmë është pjesë e PTPA-së. “Disa ditë pas emërimit tim në krye të ATP-së u miratua një rregull i ri që më vuri në një pozitë të vështirë”, – thekson tenisti serb.
“Ky rregull i ri specifikon që të gjithë anëtarët e Shoqatës së re të Lojtarëve të Tenisit Profesional (PTPA), nuk mund të jenë anëtarë të Këshillit të Lojtarëve, pasi përbën konflikt interesi. Siç e dini, unë jam pjesë e PTPA-së, një organizatë e krijuar së fundmi që nuk ka ndërmend të konfliktohet me ATP”, – shtoi Gjokoviçi. Tenisti serb e përfundon letrën me dëshirën për ndryshim dhe përparim jo vetëm në shoqatat e reja, por edhe në ATP.