AlbanianSport.com 20/12/2020 17:15
ASNN – Gjimnasti rus, Matvei Petrov, shkroi historinë e sportit shqiptar, duke u shpallur kampion i Evropës në disiplinën e kalit me dorëza, të mbajtur ditët e fundit në Mersin të Turqisë. Dhe duke folur posaçërisht nga Praga për AlbanianSport.com, ai ka rrëfyer rikthimin në konkurrim, triumfin evropian dhe synimet madhore për vitin që vjen. Në fakt, ngjyrat kuqezi dhe tingujt e këngës “Kuqezi” të Elvana Gjatës dhe Flor Mumajesit nuk para i kanë shkuar edhe aq për shtat si sfond marrëdhënies midis Shqipërisë dhe Rusisë, sidomos në çerekshekullin e fundit, por Matvei Petrov premton ta ndryshojë këtë.
Gjimnasti rus shkroi historinë e sportit shqiptar, duke u shpallur kampion i Evropës në disiplinën e kalit me dorëza, të mbajtur ditët e fundit në Mersin të Turqisë. Në fakt, disa ditë më pas, ai ende nuk e beson atë që ka arritur, teksa thotë: “Të jem i sinqertë, nuk e di sesi ia dola, sepse rutina e kalit me dorëza është e vështirë, por edhe tani që flas, ende nuk e besoj që u shpalla “kampion””. Duke folur posaçërisht për AlbanianSport.com nga Praga, rusi ka pohuar se nuk ka qenë e lehtë për të për ta fituar këtë medalje. “Ishte shumë e vështirë, – thotë ai. – Ishte me të vërtetë. Jo çdo vend i Evropës konkurroi në këtë kampionat, por prapëseprapë, niveli i konkurrimit ishte i mirë.”
“Natyrisht, të fitosh kurorën evropiane është gjithmonë e vështirë”, – shtoi ai. Kur nuk u kualifikua për në Lojërat Olimpike 2016, ai e mbylli karrierën time si gjimnast dhe u transferua në Pragë për të punuar si trajner, aty ku ish-gjimnasti shqiptar, Alon Hasa, i cili është president i klubit SK Hradcani si edhe zotëron një nga palestrat më të mira për gjimnastikë në kryeqytetin çek, u bë shkas që rusi të merrte nënshtetësinë shqiptare. Dhe Petrov e pohon se kjo pasaportë u bë zanafilla e tij drejt rikthimit në sport. “Brenda vetes unë e ndjeja që ende nuk kisha mbaruar atë që duhej me sportin dhe për pak vite, e pata braktisur edhe stërvitjen”, – thotë ai.
“Por kur m’u propozua mundësia e marrjes së paraportës shqiptare dhe bashkë me të edhe mundësia e rikthimit në konkurrim si një gjimnast profesionist, natyrisht e pranova me kënaqësi”, – shton rusi. Nga një ish-nënkampion i Evropës me Rusinë, në kampion i Evropës me Shqipërinë, 29-vjeçari po e shijon momentin. “Unë ndjehem i lumtur, thjesht i lumtur, sepse është fitorja ime, sepse kam më shumë se dy 10-vjeçarë në gjimnastikë dhe kjo është medalje e parë e artë me të rriturit”, – thekson ai. Po cili ishte reagimi i ish-bashkëatdhetarëve të tij rusë, pasi ai e fitoi këtë medalje për Shqipërinë?
“Të gjithë, të gjithë miqtë e mi, të gjithë ish-shokët e mi gjimnastë në Rusi më kanë shkruar dhe janë të lumtur për mua, – përgjigjet sportisti. – Ata më njohin prej kaq vitesh tashmë, prandaj… .” I rikthyer tanimë në arenën ndërkombëtare, gjimnasti ruso-shqiptar ka synime të mëdha me ngjyrat kuqezi në vitin 2021. “Do të kemi shumë gara, do të kemi Kupën e Botës, Kampionatin Evropian dhe, shpresoj, që të shkoj edhe në Olimpiadë, pasi kemi mundësi të shkojmë në Lojërat Olimpike, – premton Matvei. – Kështu që unë besoj.” Pavarsisht asaj që do të ndodhë vitin që vjen, një gjë është e sigurt: Matvei Petrov e ka shkruar emrin me gërma të arta në historinë e sportit shqiptar.