AlbanianSport.com 20/12/2020 12:40
ASNN – Goditet gjyqtari anësor, reagon klubi vendas dhe Federata Shqiptare e Futbollit. Policia ka bërë të ditur se gjatë ndeshjes së futbollit, Delvina-Albpetrol, të zhvilluar të dielën pasdreke në stadiumin “Panajot Pano” në Delvinë, një shtetas i ndodhur jashtë stadiumit, ka goditur me gurë, në drejtim të njërit prej asistentëve të gjyqtarit. Si pasojë gjyqtari anësor, Elvis Pulaj, është dëmtuar në kokë dhe është transportuar në Spitalin e Sarandës, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, shtetasin A. H, cili është larguar menjëherë nga vendngjarja, por vijon puna për kapjen e tij.
Ndërkaq, ka reaguar klubi i Delvinës, që shprehet nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, i indinjuar nga incidenti i ndodhur në ndeshjen kundër Albpetrolit, duke kërkuar që për veprimin e një “të çmenduri” të mos fajësohet një ekip dhe një qytet i tërë. Ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarit dhe kërkon nga organet ligjzbatuese që të marrin masa të forta për të ndalur aktet e dhunshme, që prishin imazhin e futbollit. “Gjithashtu, u bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që veprojnë sa më parë për të ndaluar shkaktarët e dhunës dhe t’i vënë ata para drejtësisë”, – thuhet në deklaratën e organizmit që qeveris futbollin në vend.
Duke sqaruar se do të caktojë një inspektor disipline për të kryer një hetim disiplinor në lidhje me incidentin dhe dhunën ndaj gjyqtarit, Federata Shqiptare e Futbollit thekson se “është e papranueshme që futbolli të penalizohet për shkak të disa individëve të dhunshëm e të papërgjegjshëm”. “Federata e konsideron të rëndë ngjarjen e ndodhur në Delvinë e që nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit dhe frymën e “Fair Play”-it, – vijon deklarata e FSHF-së, që më tej shton: “Së fundmi kërkojmë nga sportdashësit, që të distancohen nga veprime të tilla të dhunshme, që nuk kanë asnjë lidhje me lojën e bukur të futbollit, por vetëm e dëmtojnë atë.”