AlbanianSport.com 05.12.2014 18:20
ASNN – Butrinti-Luftëtari, quajtur ndryshe derbi i Jugut në Kategorinë e Parë, mund të konsiderohet një përballje e ish-ëve. Sepse janë shumë lojtarë të këtyre skuadrave, të cilët, edhe për shkak të afërsisë gjeografike, kanë luajtur më parë si me Butrintin, ashtu dhe Luftëtarin. Ndaj dhe këtë ndeshje mezi po e presin si në Sarandë, ashtu dhe në Gjirokastër.
Duke i marrë skuadrat një e nga një, tek Luftëtari, Elton Zholi ka luajtur me Butrintin, teksa sarandjotët militonin në Kategorinë e Dytë. Dhe ky futbollist sot është një lojtar me eksperiencë për formacionin gjirokastrite. Më pas një tjetër futbollist i cili ka luajtur me Butrintin, gjithnjë në radhët e gjirokastritëve, ka qenë Ervin Sulejmani. Ky futbollist ka qenë pjesë e Butrintit të Milto Gurmës në kohën kur kjo skuadër u ngjit në Kategorinë e Parë.
Në krahun tjetër, kapiteni i Butrintit, Dhiogjen Muço, kaloi vite të arta me skuadrën gjirokastrite duke luajtur me shumë nivel kur bluzinjtë ishin në Superiore. Mandej po pjesë e Luftëtarit, sot në radhët e Butrintit, kanë qenë Kola, Rapa e mbi të gjitha dhe sulmuesi dhe nuhatësi i portave kundërshtare Jasmin Raboshta. Dhe duket se emocione të mëdha në stolin e Butrintit do të kenë dhe dy-ish futbollistët e trajnerët e Luftëtarit, kjo prej shumë vitesh, Mustafa Hysi dhe Kristaq Ciko.
Sakaq Butrinti ka zhvilluar dhe ndeshjen e kontrollit, ndërsa me kthimin e sulmuesit Arbër Dhrami vendosja taktike do të jetë përsëri 4-3-3, që do të jetë: Haxho, Xhuvani, Malaj, Muço, Xhibro, Allmeta, Aleksi, Rapa, Dhrami, Mustafaji, Raboshta. Xhibro ka zënë vendin e Alzenelit, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë.