AlbanianSport.com 10/11/2020 22:05
ASNN – Anulohet vendimi i javës së shkuar për veprimtaritë në salla të mbyllura. Vendimi i marrë për fundjavë e kaluar dhe që ndaloi veprimtaritë sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, përveç veprimtarive ndërkombëtare në vend, është shfuqizuar të hënën në mbledhjen e Komitetit për administrimin e epidemisë së Covid-19, i themeluar nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë është kthyer në fuqi vendimi i marrë në fillim të këtij muaji, që lejon zhvillimin e të gjitha veprimtarive sportive në hapësira të hapura dhe të mbyllura.
Por kontrolli mbi klubet do të jetë më rigoroz. Për ta parë situatën në terren, nëse klubet i respektojnë protokollet dhe udhëzimet vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuara në “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”, do të ketë kontroll nga njësitet policore dhe inspektorët. Kështu ka deklaruar të hënën për mediat e Prishtinës ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ibër Alaj. Ky i fundit ka theksuar se një gjë e tillë është kërkuar për të parë nëse klubet sportive i respektojnë në përpikëri masat e vendosura nga MSH-ja.
Së fundmi, shifra e të infektuarve me Covid-19 është shumë e lartë, por sporti po lejohet. “Sporti deri më tani u është përmbajtur protokolleve, për çka edhe e vlerësojmë gatishmërinë e treguar”, – ka thënë Alaj. Por ai ka theksuar se do të ketë masa ndëshkuese për të gjitha klubet apo federatat, nëse nuk i respektojnë me përpikëri masat e vëna nga organet drejtuese të vendit. Veprimtaritë që do të rikthehen pas heqjes së vendimit të fundjavës së kaluar janë ato do të organizohen nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), teksa është parashikuar të zhvillohen ndeshjet e shtyra të javës së 12-të të Superligës.