AlbanianSport.com 10/11/2020 21:10
ASNN – Drejtori Bauman: Do ta mbajmë futbollistin të paktën deri në verë. Në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e mbetura të grupit të 3-të të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës, Kosova do të zhvillojë një miqësore të mërkurën me Shqipërinë dhe një nga mungesat më të spikatura për trajnerin Bernard Shalondë, është futbollisti Milot Rashica. Për shkak të kufizimeve për mbrojtjen nga “Covid-19”, lojtari nuk është lejuar të udhëtojë nga klubi i tij gjerman, Verder Bremeni.
Ndërkohë, në një zhvillim paralel, skuadra gjermane ka ndërmend ta mbajë Rashicën deri në verën e vitit të ardhshëm. Kështu pra, futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës nuk do të largohet nga Verder Bremeni as gjatë merkatos së janarit. Madje, zyrtarë të klubit nga Bundesliga kanë këmbëngulur se Rashica do të mbetet pjesë e Verderit deri në fund të këtij edicioni, gjë që është pohuar nga Drejtori sportiv i Verder Bremenit, Frank Bauman, i cili ka folur për mediat gjermane.
Rashica ishte pranë largimit nga Verderi gjatë merkatos së verës, por në ditën e fundit nuk u arrit marrëveshja me Bajer Leverkusenin. 24-vjeçari ka kontratë me skuadrën gjermane deri në vitin 2022, kurse këtë edicion ka vetëm tri paraqitje në kampionat, pasi javë më parë është rikuperuar nga dëmtimi që pësoi në muajin shtator. “Miloti mund ta bëjë dallimin në ekipin tonë dhe gradualisht po rikthehet në formë pas dëmtimit që pësoi”, – ka deklaruar Baumani.
“Besoj se brenda dy javëve, ai do të jetë plotësisht i gatshëm për të luajtur gjatë gjithë ndeshjes. Gjithashtu synimi ynë është që ta mbajmë atë deri në fund të këtij edicioni, pasi është lojtar i rëndësishëm për ne”, – ka përfunduar drejtuesi i klubit gjerman.