AlbanianSport.com 09/11/2020 23:55
ASNN – Janë dy ndeshjet që mund të vendosin shumëçka sa i përket këtij sezoni të dytë të Ligës së Kombeve të Evropës në futboll dhe, me mundësitë që po kufizohen çdo ditë e më tepër sa i përket kontingjentit të lojtarëve që trajneri i Kombëtares, Edi Reja, do të ketë në dispozicion. Dhe e gjithë kjo ka bërë që një lajm i bujshëm është duke qarkulluar së fundmi në mediat italiane.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e Kombëtares, Marash Kumbulla. Ditën e diel u tha se autoritetet shëndetësore të Romës, do të ndalonin që futbollistët e skuadrës kryeqytetase të bashkoheshin me kombëtares e tyre, për shkak të situatës alarmante të virusit korona. Ndërkohë sipas mediave italiane, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka marrë kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet shëndetësore.
Kjo, me qëllim për të pasur në dispozicion sa më shpejtë të jetë e mundur, mbrojtësin Marash Kumbulla. FSHF është e gatshme të vendosë në dispozicion një çarter për të marrë lojtarin në siguri të plotë dhe për ta pasur në dispozicion ndaj Kazakistanit dhe Bjelllorusisë. Hëpërhë, udhëtimet janë të bllokuara nga UEFA, teksa pritet që në ditët në vijim të ketë një përgjigje zyrtare në lidhje me Kumbullën.