AlbanianSport.com 09/08/2020 21:40
ASNN – Edhe vetë Besnik Prenga pohon se nuk ishte menduar në fillim të këtij sezoni ky sukses i Lokomotivës, pra arritja deri në Ligën e Kampioneve. “Të them të drejtën, ne si klub, nuk i kishim vënë përpara ekipit asnjëlloj imperative rezultati, kështu që prisnim nga lojtarët tanë të përfaqësonin denjësisht klubin, – thotë ai duke folur posaçërisht për AlbanianSport.com. Në radhë të parë, kërkuam që, që nga ndeshja e parë e kampionatit, të tregonim një lojë të bukur dhe mendoj që gjatë gjithë kampionatit, ne ishim ekipi më stabël dhe dhuruam lojëra shumë të bukura.”
“Lokomotiva e Zagrebit është një skuadër që nuk ka shumë tifozë, por, edhe ata që janë, duke parë cilësinë e skuadrës dhe lojën e sa në rritje, duke ardhur nga ndeshja në ndeshje, e mbushën stadiumin, – vijon Prenga. – Të them të drejtën, vendi i dytë në kampionat është një vend befasues për të gjithë sportdashësit, për të gjithë opinionin publik dhe, madje, edhe për specialistët, por ne ia kishim bërë shërbimin e duhur këtij vendi. Ne jemi një klub që nuk vendosim imperativa, “jo duam vendin e parë, të dytë, të 3-të apo të katërt, e të tjera.”
“Lokomotiva e Zagrebit është një klub stabël, ku trajneri (Goran Tomiç) është viti i 3-të që është në krye të ekipit dhe ishte i njëjti trajner që kishte 11 ndeshje pa fituar ai që na çoi më pas tek rezultatet shumë pozitive, – sqaron zbuluesi kryesor i talenteve të klubit të dytë të kryeqytetit kroat. -. Ne ishim të kënaqur me rritjen e lojtarëve tanë, me cilësitë e tyre, të kënaqur jemi të gjithë si klub dhe i kënaqur jam unë si zbuluesi kryesor i talenteve, sepse në përbërje të ekipit kishim 5 shqiptarë. Dhe kjo, jo vetëm mua si person, por edhe klubit i bën shumë mirë, për përhapjen e emrit të Lokomotivës, jo vetëm në Kroaci, por edhe në vendet fqinje.”