AlbanianSport.com 05/08/2020 19:25
ASNN – UEFA bën të ditur rregullat e reja të zhvillimit të ndeshjeve për shkak të kufizimeve të udhëtimeve. Klubet që do të marrin pjesë në veprimtaritë evropiane sezonin e ardhshëm, në Ligën e Evropës dhe në Ligën e Kampioneve, mund të detyrohen të tërhiqen nga garat nëse nuk e informojnë UEFA-n për kufizimet e udhëtimeve në vendet e tyre për shkak të virusit korona.
Organizmi që qeveris futbollin evropian bëri të ditur se një listë e kufizimeve të udhëtimeve mes vendeve të ndryshme në Evropë do të publikohej para çdo shorti të garave evropiane sezonin e ardhshëm. Klubet do të duhet më pas ta njoftojnë UEFA-n nëse vendi i tyre ka kufizime të tjera shtesë për udhëtime nga vende të caktuara të Evropës, të paktën 48 orë para se të bëhet shorti.
Nëse klubet dështojnë ta informojnë UEFA-n dhe pastaj klubi udhëtues e ka të pamundur të udhëtojë te klubi pritës për zhvillimin e ndeshjes, pritësit do ta humbin automatikisht ndeshjen me rezultat 0-3. UEFA gjithashtu se nëse një klubit i bie shorti të luajë me një kundërshtar që e ka të ndaluar të hyjë në vendin e tyre për shkak të kufizimeve të ndërmarra si pasojë e virusit “Covid-19”, atëherë klubi duhet ta gjejë një vend neutral ku mund të zhvillohet ajo ndeshje.
Edhe në këtë rast, nëse klubi nuk propozon ndonjë stadium neutral për zhvillimin e ndeshjeve, UEFA e cilëson si tërheqje nga gara automatikisht.