AlbanianSport.com 05/08/2020 18:40
ASNN – Presidenti i Federatës Botërore të Automobilizmit (FIA), Zhan Todt, beson se Formula 1 ka dhënë një “shembull global” me kthimin e saj në gara pas shpërthimit të virusit korona. Formula 1 u detyrua të heqë dorë nga 10 garat e para të vitit për shkak të epidemisë së “Covid-19”, por arriti që sezonin e saj ta fillojë me Çmimin e Madh të Austrisë në korrik.
Tani është hartuar një kalendar me 13 gara, me perspektivën për t’u shtuar edhe disa gara, si pasojë e një numri të madh masash të marra për të krijuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në gara. Todti tha se ai ishte “shumë krenar” për mënyrën sesi Formula 1 e kishte administruar kthimin e saj, duke besuar se ka dhënë një shembull edhe për sporte të tjera në organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare.
“Për të marrë vendimin për të nisur garat nuk ishte e lehtë, pasi po prisnim të përmirësoheshin kushtet e situatës së krijuar nga “Covid-19” – ka rrëfyer francezi. -Formula 1 ishte seria e parë ndërkombëtare që filloi përsëri me protokolle shumë të rrepta. Ka qenë një shembull global i motivimit dhe angazhimit për të rifilluar garat. Kam lexuar edhe komente “që ju e bëni këtë për para”. Për mua, është gabim.
“Të gjithë e dinë se jeta duhet të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur në normalitet, duke marrë parasysh që virusi është aty”, – ka vijuar ai. Todti tha se Formula 1 kishte qenë “shumë kreative” për të rindërtuar kalendarin, pasi epidemia e detyroi që, më shumë se gjysmën e garave të planifikuara këtë vit t’i anulonte, duke bërë që të gjejë mënyra për t’i zëvendësuar si në Muxhelo, në Imola dhe Nurburgring.
Duke folur në vijim, kreu i organizmit që qeveris automobilizmit botëror tha se fleksibiliteti me kalendarin “kërkonte shumë energji” dhe “shumë krijimtari”. Formula 1 ka raportuar 3 raste pozitive të “Covid-19” në mes të programit të plotë të kontrollit në 4 garat e para, një prej të cilëve është piloti i “Racing Point”, Serxhio Perez. Ai u detyrua të humbasë Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe, pasi është karantinuar.