AlbanianSport.com 04/08/2020 23:10
ASNN – “Kurrë mos thuaj kurrë” dhe “Gjithçka mbyllet atëherë kur gjyqtari fishkëllen për përfundimin e ndeshjes”. Këto dy shprehje të përdorura rëndom në futboll kanë gjetur të enjten zbatim në Cërrik, aty ku Veleçiku i Koplikut ia ka dalë të triumfojë ndaj Maliqit dhe do të jetë ajo skuadra që do të vazhdojë të luajë në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, edhe për sezonin tjetër.
Në fakt, në Fushën Sportive “Nexhip Cungu” u zhvillua një ndeshje me të vërtetë spektakolare, e cila i kishte të gjitha brenda. Kjo sfidë përballi koplikasit, që e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e 8-të të grupit A, apo grupit të Veriut, të Kategorisë së Parë, me Maliqin, që u rendit i dyti në grupin B, apo grupit të Jugut, të Kategorisë së Dytë. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndonëse skuadrat kishin disa raste për shënim.
Pjesa e dytë ishte me të vërtetë emocionuese. Maliqi kaloi i pari në epërsi me anë të Muçollarit, i cili shënoi me një goditje mjeshtërore nga jashtë zone në minutën e 63-të. Megjithatë, kur të gjithë mendonin se Maliqi do ta bënte ëndrrën realitet për të qenë në Kategorinë e Parë, erdhi edhe përmbysja e pabesueshme. Juglindorët rezistuan mirë deri një minutë përpara fundit, atëherë kur ndodhi edhe “gjëma”.
Veleçiku barazoi shifrat në minutën e 89-të me anë të Shekajt, ndërsa Zaraj në minutën e 95-të kurorëzoi bëri përmbysjen e çmendur për koplikasit, duke bërë që të jenë ata që luajnë edhe për sezonin tjetër në Kategorinë e Parë. Ky ishte akti i parafundit i këtij sezoni të futbollit shqiptar, pasi akti i fundit do të luhet të mërkurën, kur Devolli dhe Partizani B, do të diskutojnë “biletën e mbetur” për në Kategorinë e Parë.