AlbanianSport.com 03/08/2020 23:55
ASNN – Në fakt, e ka lënë të nënkuptohet në intervistën e tij edhe presidenti Alban Xhaferi, i cili ka folur edhe për ardhjen e një drejtori të ri sportiv tek kuqeblutë. “Unë dua të jap një lajm të mirë, që jemi drejt finalizimit të një drejtori sportiv për ekipin, i cili është i huaj, por ka një përvojë të gjatë në kampionatin shqiptar, pra e njeh kampionatin tonë”, – ka zbuluar më kreu i klubit kuqeblu. – Ai do të jetë pjesë e projektit tonë të ri, por besoj që nesër do të japim edhe njoftimin tonë zyrtar.”
Ndonëse Xhaferi nuk ka pranuar të japë një emër konkret, AlbanianSport.com ka mësuar ekskluzivisht nga burime pranë klubit shkodran se bëhet fjalë për ish-futbollin e njohur kroat, Matko Djarmati. 38-vjeçari, i cili, e ka nisur karrierën në klubin e vendlindjes, Rijeka, në Kroaci, përgjatë një periudhe 16-vjeçare, nga viti 2000 e deri në 2016-ën, ka luajtur për një numër të madh skuadrash. Përgjatë 10-vjeçarit të parë të mijëvjeçarit të ri ai ka luajtur në klubet kroate, por edhe për një sezon në Greqi me PAS Lamian.
Ndërkohë, nga sezoni 2009-2010, ai ka luajtur në Shqipëri, me përjashtim të një sezoni ku provoi fatin në Vietnam. Përveç korçarëve, ai ka luajtur dy herë me Kastriotin e Krujës, me Besën, me Dinamon dhe Tërbunin e Pukës. Në vijim, ai ka kryer edhe rolin e specialistit dhe komentatorit sportiv në platformat sportive shqiptare. Sa i përket jetës së tij jashtë sportit, vlen të përmendet se ish-mesfushori është i martuar me këngëtaren dhe moderatoren televizive shqiptare, Gerta Herta.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë roli i administratorit aktual, ish-futbollistit Suad Lici, në projektin e ri të Vllaznisë, ndërsa interesant është fakti se Djarmati do të ishte i dyti drejtor sportiv radhazi tek klubi shkodran, pas turkut Engin Fërat. Ky i fundit e drejtoi klubin shkodran kur ishte në Kategorinë e Parë, duke e udhëhequr atë drejt rikthimit në Kategorinë Superiore së bashku me trajnerin Hasan Lika, por u largua pasi mori fillimisht mbi baza të përkohshme, e më pas, afatgjata, të detyrës së trajnerit të përfaqësueses së Moldavisë.