Gjergj Vyshka 05.12.2014 14:35
Barleti Volej ka siguruar tashmë kualifikimin për në fazën finale të Kupës së Shqipërisë, teksa kanë fituar dhe me Teutën. Kurse durrsakët kanë dhe një shans të fundit me Elbasanin sot në ora 16:00. Ndeshja me Teutën, si dy kandidatët e mundshëm për të kaluar në finalet e Kupës së Shqipërisë nga grupi A, ka qenë një spektakël me vete.
Dhe kjo nga vajzat e Hasan Gurabardhit, të cilat nuk kanë toleruar për asnjë çast. Shifrat e seteve flasin vete, 25-15, 25-21 dhe 25-16. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes Bici e Barleti Volejit me 16 pikë, ndjekur nga Smajlaj e Teutës me dhjetë pikë dhe Zakova e Teutës me nëntë pikë. Në bllok ka dalë fituese Nezaj e Barleti Volejit me tre mure fituese, kurse në shërbim po Nezaj me katër të sakta.
Në total Barleti Volej ka shënuar 75 pikë në tre sete, prej të cilave 60 vetë, kurse 15 kanë ardhur nga gabimet e durrsakeve. Në krahun tjetër, Teuta ka realizuar në total 52 pikë, prej të cilave 36 vetë, kurse 16 kanë ardhur nga gabimet e kampioneve në fuqi të volejbollit shqiptar për femra. Por ajo që mbetet është fitorja e pastër e Barleti Volejit me shifrat 3-0.
Barleti Volej – Teuta 3-0
(25-15, 25-21, 25-16)
Barleti Volej: Nezaj, Fagu (L), Tuci, Bici, Braho, A.Gjermeni, Harxhi / J. Gjermeni, Hasku. Trajner: H. Gurabardhi
Teuta: Begiç, Zakova, Smajlaj, Gashi, Borshi, Dallupi, Llupo (L) / Çerpia, Saliu. Trajner: E. Jazenxhiu
Gjyqtarë: R. Omari, K. Agolli (Tiranë)