AlbanianSport.com 03/08/2020 20:10
ASNN – Është një nga sportet ku lëvizet me shpejtësi marramendëse dhe ku sfidohen, shumë më tepër sesa në Formula 1, ligjet e natyrës dhe ku faktori njerëzor është vendimtar. Por edhe njeriu e ka një kufi dhe duket se ka qenë një problem elektronik, shkaku kryesor që Mark Markezi u rrëzua në garën e Spanjës. Piloti spanjoll bëri 12 parakalime në 18 xhiro, duke e sforcuar në maksimum motorin e tij. E duket se pjesa elektronike ka qenë ajo që nuk ka funksionuar si duhet në momentin e rrëzimit. Dhe këtë e ka zbuluar një koleg i spanjollit.
“Fajtori i vërtetë në dëmtimin e Markezit? Nuk ishte faji i tij. Do t’ju tregoj një sekret”. Kështu shkruan në mënyrë enigmatike Kolin Eduords në profilin e tij në rrjetin social “Twitter”, duke analizuar rrëzimin e kampionit në fuqi të botës para dy javësh në Çmimin e Madh të Spanjës. Një rrëshqitje spektakolare, kur Markez ishte me më shumë se 149 kilometra në orë. Piloti spanjoll qëndroi një sekondë në ajër para se të përplasej, e më pas të merrte edhe goditjen e gomës së përparme të motorit të tij “Honda”. Kjo i shkaktoi një frakturë në krah dhe nevojën për të shkuar në sallën e operacionit.
Sipas Eduordsit kjo gjë ndodhi për shkak të një problemi elektronik në motorin “RC213V”. “Gjithçka që po them është “jo”, – shkruan piloti nga Teksasi. – Kur ju keni një sistem ndihmës elektronik, e në thelb e vendosni jetën tuaj në duart e tij, atëherë i besoni atij më shumë sesa gruaja juaj, në një farë kuptimi. Elektronika ju ndihmon xhiro pas xhiroje. Por kur sistemi ngatërrohet…” E këtu ai kujton edhe aksidentin që Kejsi Stoner pati gjatë provave në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara në 2012-ën. “E njëjta gjë ndodhi me Stonerin në Indianapolis”, – thekson Eduordsi.
“Sistemi kishte ndryshuar dhe piloti u hutua nuk mori vesh se çfarë ndodhi”, – shton ai. Markezi sforcoi motorin e tij kur bëri 12 parakalime në 18 xhiro. Dhe kjo gjë vërteton hipotezën e Kolin Edwardsit, që motori “RC213V” nuk iu përgjigj më Mark Markezit nga ana elektronike.