AlbanianSport.com 03/08/2020 19:25
ASNN – Presidenti i kuqebluve flet pas triumfit me Besëlidhjen përvijon projektin e ringritjes. “Situata të tilla nuk duhet të përsëriten më për Vllazninë”. Kështu ka deklaruar presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi, pas suksesit të skuadrës së tij ndaj Besëlidhjes në duelin e mbijetesës midis dy kategorive. Ndonëse ende nuk është sqaruar çështja e pronësisë së klubit më të vjetër të futbollit në vend, që zotërohet ende nga Bashkia e Shkodrës, Xhaferi mbetet i përkushtuar në projektin e tij.
Vllaznia ka shmangur përsëritjen e asaj që do të ishte një katastrofë për klubin shkodran, duke shmangur rënien në Kategorinë e Parë, pasi ka mundur të dielën Besëlidhjen me rezultatin 3-1 në “play-off”-in midis dy Kategorive. Dhe për presidentin e kuqebluve, Alban Xhaferi, është koha e falënderimeve. “Unë dua të falënderoj fillimisht të gjithë çunat që kanë patur një impenjim maksimal këto 3 ditët e fundit, pas grumbullimit në Kompleksin “Gardenland””, – ka thënë ai.
“Dua t’i përgëzoj ata një nga një, dua të përgëzoj pastaj edhe trajnerin gjithashtu, ashtu siç dua që të përgëzoj edhe tifozët që na kanë mbështetur, – ka vijuar 41-vjeçari. – Ky është një fillim i ri për të gjithë dhe unë u premtoj atyre se Vllaznia e madhe do të vijë në vijim.” Për Xhaferin, situata të tilla nuk duhet të përsëriten më për Vllazninë. “Vllaznia e madhe do të rikthehet aty ku e ka vendin, pra, në majat e futbollit shqiptar, – ka këmbëngulur biznesmeni i suksesshëm shkodran.
“Vllaznia është një emër i madh dhe ne duhet të luftojmë të gjithë që ta çojmë gjithmonë drejt objektivave të reja dhe kjo situatë të mos përsëritet më”, – shtoi kreu i klubit shkodran, sipas të cilit vlerësimi i kontingjentit aktual dhe përforcimeve për sezonin e ri është një proces që do të bëhet nga specialistët. “Kjo do të jetë pjesë e vlerësimeve teknike dhe mua më takon të mbështes skuadrën me të gjithë elementët e tjerë dhe pastaj vlerësimet e tjera teknike do t’ua lëmë teknicienëve”, – pohoi Xhaferi.
“Normalisht, ne kemi qenë vazhdimisht në fazën e vlerësimeve sa u përket lojtarëve të sezonit të ardhshëm, kemi bërë disa takime, kështu që besoj se çdo gjë do të bëhet në momentin e duhur, në kohën e duhur, – ka sqaruar presidenti kuqeblu. – Është pak kohë e shkurtër, por besoj se ne do të arrijmë ta organizojmë skuadrën në kohë për të arritur objektivat e reja për sezonin e ri të Superiores.” Po cila do të jetë e ardhmja e Hysen Dedjes në krye të stolit të Vllaznisë?
“Mendoj që duhet të gëzojmë njëherë qëndrimin në Superiore, pasi kjo ishte gjëja më e rëndësishme dhe unë besoj se shumë shpejt, që nesër, besoj se do të ketë njoftim zyrtare për këtë çështje”, – ka thënë shkurtimisht Xhaferi, i cili ka folur edhe për ardhjen e një drejtori të ri sportiv tek kuqeblutë. “Unë dua të jap një lajm të mirë, që jemi drejt finalizimit të një drejtori sportiv për ekipin, i cili është i huaj, por ka një përvojë të gjatë në kampionatin shqiptar, pra e njeh kampionatin tonë”, – ka zbuluar më tej kreu i klubit kuqeblu.
“Ai do të jetë pjesë e projektit tonë të ri, por besoj që nesër do të japim edhe njoftimin tonë zyrtar, – ka shtuar Xhaferi. Ndonëse ende nuk është sqaruar çështja e pronësisë së klubit më të vjetër të futbollit në vend, presidenti shkodran mbetet i përkushtuar në projektin e tij. “Bashkia e Shkodrës për momentin ka 100 % të aksioneve, por unë në fakt ka ardhur për të mbështetur ekipin, ka ardhur për një projekt të ri, një strategji të re, ambicie të reja, për të bashkuar forcat e për të arritur aty ku dëshirojmë”, – ka përfunduar presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.