AlbanianSport.com 03/08/2020 17:55
ASNN – Nga 20 skuadra me dy grupe këtë sezon, në një grup të vetëm me 14 skuadra me dy faza pas 3 vjetësh. Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit që njihet si Kategoria e Parë, është duke mbyllur tanimë një sezon që sinjalizon edhe nisjen e një revolucioni në formulën e saj. Një revolucion që është përvijuar që vitin e shkuar me vendimin e marrë nga Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris futbollin në vend, në përpjekje për ta ristriktuar tërësisht këtë nivel që prej disa sezonesh ka vuajtur për të gjetur formulën që do të garantojë suksesin e garës së saj.
Kështu, sezoni 2019-2020 ishte i pari që ndarjen në dy nëngrupe, atë të luftës për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore dhe atë për të mos zbritur në Kategorinë e Dytë, e përshkallëzoi, duke e kufizuar në 4 skuadra të parin dhe duke e zgjeruar në 6 të dytin. Ndërkojë, sezoni 2019-2020 ishte i fundit ku konkurruar 20 skuadra, të ndara në dy grupe, atë të Veriut dhe atë të Jugut, me nga 10 skuadra secili. Sezonin që vjen, pra atë 2020-2021, këto dy grupe do të jenë me nga 9 skuadra secila, që do të përballen me njëra-tjetrën në 3 faza.
Ashtu sikundër do të jetë me 3 faza, por me dy grupe me nga 8 skuadra secila, sezoni 2021-2022. Ndërkohë, sezoni i radhës, ai 2022-2023, do të jetë sezoni i stabilizimit të formulës së Kategorisë së Parë, e cila, sikundër Kategoria Superiore, do të diskutohet në një grup të vetëm me 14 skuadra, që do të përballen me njëra-tjetrën në dy faza. Ndërkaq, duke iu rikthyer sezonit aktual, Kastrioti dhe Apolonia siguruan ngjitjen në Kategorinë Superiore, duke zëvendësuar kështu Flamurtarin dhe Luftëtarin, që zbresin në Të Parën,.
Ashtu sikundër kur Besëlidhja nuk arriti ta rrëzojë Vllazninë nga niveli më i lartë i futbollit shqiptar. Nga Kategoria e Parë kanë rënë në atë Të Dytën Tërbuni i Pukës dhe Shkumbini i Peqinit, në grupin A, dhe Shënkolli dhe Iliria e Fushë-Krujës në grupin B, ndërsa janë ngjitur lart Vora dhe Tomori. Ndërkohë, në aktin e fundit të këtij sezoni, në përballjet Veleçiku i Koplikut-Maliqi, që luhet të martën, dhe Devolli-Partizani B, që luhet të mërkurën, do të vendosen edhe dy skuadrat e fundit që mbeten në Kategorinë e Parë.