AlbanianSport.com 07/07/2020 20:10
ASNN – Ishte përfolur si një hipotezë, por tanimë duket se është bërë realitet dhe Fernando Alonso pritet të rikthehet në Formula 1. Ai do të garojë për skuadrën “Renault” në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Kampioni i dyfishtë i botës ka firmosur tashmë, ndërsa konfirmimi pritet të vijë së shpejti, raporton rrjeti prestigjioz britanik, BBC. Gjatë këtij muaji, spanjolli mbush 39 vjeç.
Ai do të rikthehet kështu tek skuadra me të cilën fitoi titujt e kampionit dhe për të cilën ka garuar në dy periudha në karrierë. Alonso u largua nga Formula 1 në vitin 2018, duke provuar disa disiplina të tjera.
Veterani do të provojë për herë të 3-të për të fituar garën e “Indianapolis 500” me “McLaren”-in, që do të mbahet në gusht të këtij viti. Një zëdhënës i skuadrës së “Renault” ka thënë se refuzon të komentojë mbi këto thashetheme.
Në Botërorin e vitit të ardhshëm, Alonso do të jetë partner i francezit Esteban Okon dhe do të zëvendësojë kështu australianin Daniel Riçiardo, që do të kalojë tek “McLaren”-i në fund të edicionit aktual, që nisi në fundjavë në Austri.