AlbanianSport.com 06/07/2020 23:15
ASNN – Ka qenë një sezon që drejt fundit të tij u var, në kuptimin figurativ të fjalës, në fije të perit dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe as atë që ishte “koha shtesë” e një kampionatit. E kishte siguruar një shans të fundit vetëm në javën e fundit, në kurriz të Fortunës së Dyseldorfit, dhe Verder Bremeni ka përjetuar sërish drithërima edhe në dy ndeshjet e “play-out”-it me Bundesligën e dytë gjermane.
Dhe, pas një ndeshjeje të çmendur dhe emocionuese, skuadra e Milot Rashicës ia ka dalë të mbijetojë në fund dhe të qëndrojë në Bundesligën e parë edhe për sezonin e ardhshëm, pasi ngadhënjyer në dy përballjet me Haidenhaimit. Në fakt, ishte një ngadhënjim jo me fitore, por me dy barazime dhe një mbijetesë e siguruar nga golat në fushë të huaj.
Sfida e parë ku Verderi ishte pritës u mbyll në barazim 0-0, teksa të hënën, ekipi Rashicës barazoi 2-2 jashtë dhe ia doli kështu të shpëtojë, për shkak të golave në fushë kundërshtare. Ndeshja nisi mirë për miqtë që kaluan në epërsi që në minutën e 3-të, falë një autogoli. Në minutën e 85-të Klaindajnsti barazoi shifrat në 1-1, ndërsa Verderi kaloi përsëri në epërsi në minutën e 4-t shtesë, me Augustinson.
Por nuk ishte e thënë të mbyllej këtu, pasi në minutën e 7-të shtesë Klaindajnsti shënoi përsëri duke barazuar shifrat, por kjo nuk mjaftoi për ta ngjitur ekipin i tij në Bundesligë. Rashica luajti deri në minutën e 80-të për Verderin, por, me shumë mundësi, ai e ka luajtur ndeshjen e fundit për këtë skuadër, pasi pritet të transferohet këtë verë, ndonëse destinacioni i tij mbetet i panjohur për momentin.