AlbanianSport.com 06/07/2020 21:55
ASNN – Ka zgjatur një përjetësi pritja për nisjen e këtij sezoni, që thuajse u braktis, për shkak të epidemisë së virusit korona dhe kanë munguar tifozët në Alpet e Austrisë, por ato që nuk kanë munguar që në garën e parë, janë polemikat. Duket se Albonit nuk i del e keqja pas atij incidenti shkaktuar nga Hemilton, megjithëse ky i fundit i ka kërkuar falje. Megjithjatë, piloti britanik i “Mercedes”-it nuk pranon se e ka nxjerrë qëllimisht nga pista, por e ka quajtur thjesht një incident gare. Në fakt, skuadra e “Red Bull”-it u paraqit keq në Çmimin e Madh të Austrisë.
Maks Verstapeni u largua për shkak të një problemi elektronik në makinën e tij “RB16”, ndërsa ende nuk ka ndonjë shpjegim zyrtar. Edhe Aleks Alboni përfundoi jashtë piste kur u përpoq të parakalonte Lujis Hemiltonin. Britaniku u ndëshkua me 5 sekonda, duke bërë që të shpërthejë një fundjavë zënkash, pretendimesh dhe ndëshkimesh midis “Red Bull”-it dhe “Mercedes”-it. Kristian Horneri e ka sulmuar drejtpërdrejtë Hemiltonin: “Aleksi bëri një garë të shkëlqyer. Nga ana strategjike ne morëm vendimin e duhur, por në mënyrë të pashpjegueshme, e për herë të dytë në 3 gara, Ljuisi e goditi atë dhe e nxori jashtë garës.”
“Ishte një gabim nga Ljuisi, i cili u penalizua por dalja nga gara i dhemb edhe Aleksit”, përfundoi kreu i skuadrës austriake. Ndërsa Alboni, tepër i nxehur tha: “Unë duhet të jem i kujdesshëm me ato që them, por ne mund të kishim fituar lehtë garën. Unë mendoj se e kisha kaluar plotësisht Ljuisin. Por kontakti erdhi aq vonë sa ai më befasoi.” Por “Mercedes” nuk pajtohet me këtë. Për Toto Volfin, “të kërkosh sqarime të premten (nga DAS) është e drejtë”. “Të kërkosh rishikim të një vendimi nëse ke prova të reja… është e drejtë”, vijoi ai.
“Por dënimi i garës është shumë i ashpër”, – shtoi drejtori i skuadrës gjermane. Edhe për Ljuis Hemiltonin, ajo që ndodhi me Albonin ishte “një incident gare”. “Unë kam respekt të madh për Aleksin, ai është i ri dhe shumë i talentuar dhe nuk zemërohem me të për asgjë, – ka thënë ai. – Sipas mendimit tim, ishte një incident gare. Për fat të keq ne u përplasëm dhe nuk dua të prek askënd. Unë e respektoj vendimin i komisarëve të garës dhe kërkova falje. Por të mos harrojmë se kjo është një betejë e fuqive”, – ka përfunduar kampioni në fuqi i botës në Formula 1, Ljuis Hemilton.