AlbanianSport.com 06/07/2020 20:35
ASNN – Pas një sezoni të kënaqshëm, Makabi i Ashdodit dhe 28-vjeçarja zgjasin bashkëpunimin. Pasi e pati provuar fatin më herët në Poloni dhe Sllovaki, lojtarja e Kombëtares kuqezi, Sava Thaka, u zhvendos këtë sezon në Izrael, atje ku luajti me skuadrën e sapongjitur në nivelin më të lartë të volejbollit të femrave atje, Makabin e Ashdodit.
Dhe pas një sezoni të kënaqshëm, që sidoqoftë u mbyll para kohe për shkak të shpërthimit të epidemisë së virusit korona. Megjithatë, ky ishte një sezon i kënaqshëm për lojtaren shqiptare, e cila, me 1 m e 97 cm e saj, është në fakt edhe volejbollistja më e gjatë në kampionatin izraelit të femrave. Skuadra e Makabit të Ashdodit e mbylli sezonin e rregullt të 16 javëve me 35 pikë të marra pas 11 fitoreve dhe 5 humbje, me 40 sete të fituara dhe 21 të humbura.
Kjo bëri që ekipi i qendrës kuqezi ta mbyllë sezonin në vendin e 3-të të renditjes, çka ishte një rezultat i jashtëzakonshëm për të. Po kështu, sezoni ishte mjaft i kënaqshëm edhe për vetë Thakën, e cila luajtur në 18 ndeshje, nga të cilat 16 në kampionat dhe dy në Kupë, duke shënuar gjithsej 204 pikë, me një mesatare të qëndrueshme prej 11.3 pikësh për ndeshje.
Nga këto 204 pikë të realizuara në 68 sete, me një mesatare prej 3.8 pikësh për set dhe që përbëjnë 1/7-ën e realizuar nga e gjithë skuadra e saj, Thaka i shënuar 18 prej tyre nga shërbimi, 58 në bllok dhe 128 në sulm. Kjo paraqitje ka bërë që shqiptarja, e cila ishte nga të paktat që qëndroi në Izrael gjatë shumicës së kohës së kësaj epidemie, të marrë një ofertë për një tjetër sezon në këtë kampionat me Makabin e Ashdodit.