AlbanianSport.com 05/07/2020 21:40
ASNN – Lojtari i Kombëtares kuqezi por edhe i disa skuadrave në Shqipëri, por edhe jashtë saj, në Greqi dhe Kroaci, Emiljano Vila, ka humbur babain e tij dhe, duke folur para ndeshjes që Teuta ka të hënën në mbrëmje me Skënderbeun, trajneri Edi Martini i ka shprehur ngushëllimet e tij futbollistit. “Mund të them që Emiljano është një djalë i shkëlqyer, një djalë që ka sakrifikuar mjaft për skuadrën”, – ka deklaruar trajneri shkodran, duke folur për lojtarin 32-vjeçar.
“Të paktën, që nga koha kur unë kam marrë drejtimin e Teutës, ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme dhe është munduar në çdo ndeshje dhe çdo stërvitje të japë maksimumin, – ka vijuar Martini. – Një djalë pa fjalë, një djalë punëtor, një djalë që vrapon pa pushim. Unë i shpreh ngushëllimet dhe kam folur me Emiljanon dje, do të flas prapë sot, por jemi pak skeptik sesi do të veprojmë nesër për ta zëvendësuar atë.”
“Megjithatë, unë mendoj që Emiljano duhet t’i afrohet ekipit, duhet të luajë për ekipin dhe të luajë të hënën edhe për babain e tij”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Edi Martini. Ndërkaq, edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i shprehu ngushëllimet më të sinqerta ish-futbollistit të Kombëtares, Emiljano Vila për ndarjen nga jeta të njeriut të tij të shtrenjtë, babait.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të babait të ish-futbollistit të Kombëtares shqiptare, Emiljano Vila! – shkruan kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend. – Me këtë rast i përcjell Emiljanos dhe familjes së tij në emrin tim dhe në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit e Kombëtares shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur.”
“Në këtë moment të vështirë i gjendemi pranë Emiljanos dhe familjes së tij. U prehtë në paqe!”, – përfundon mesazhin e tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.