AlbanianSport.com 04/07/2020 23:10
ASNN – Besëlidhja mban gjallë shpresën për “play-off”-in e vendeve të dyta, që më pas të çon në “play-off”-in e Superiores. Në krahun tjetër, “nëndetësja blu”, Dinamo, “del mbi ujë”, zhytet Veleçiku, Devolli, Turbina e Cërrikut dhe Elbasani, një betejë 3-she për mbijetesën. Janë luajtur të shtunën 7 ndeshjet e radhës në kuadër të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë së Parë, nga të cilat dy ishin 2 ndeshjet e zonës së “play-off”-it në Grupin A dhe 5 ndeshjet e “play-out”-it në Grupin A dhe B.
Kastrioti, i cili e kiste siguruar më herët ngjitjen në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm, u mposht nga Korabi me rezultatin 2-3. Kurse në takimin tjetër të zonës së “play-off”-it të Grupit të Veriut, Besëlidhja fitoi ndaj Erzenit me shifrat 1-2 në fushën e shijakasve. Krutanët vijojnë të kryesojnë në kuotën e 44 pikëve, 9 më tepër sesa lezhjanët, të cilët ndiqen nga prapa nga Korabi, që ka 32 pikë. Këto dy skuadra po vijojnë betejën për vendin e dytë, por Besëlidhja duket më e favorizuar.
Ndërkaq, në skajin tjetër të renditjes, në zonën e “play-out”-it të 2 grupeve, vlen të theksohet fitorja e Dinamos dhe Elbasanit, dy skuadra që luftojnë të shpëtojnë nga rënia në Kategorinë e Dytë, të cilat mposhtën minimalisht Egnatian dhe Orikun. Por ndërkohë që për blutë kryeqytetas fitorja kishte rëndësi jetike në grupin A, sepse, i ngjiti, për herë të parë, në vendin e 8-të dhe jashtë zonës së rënies nga Kategoria, ndërsa Veleçiku i Koplikut zbriti në vendin e 9-të, pas humbjes 2-3 në shtëpi me Tërbunin e Pukës.
Në grupin B, Devolli, Turbina e Cërrikut dhe Elbasani janë përfshirë tanimë në një betejë 3-she për mbijetesën. Ndërsa dy takimet e “play-off”-it të grupit B luhen të dielën dhe Pogradeci pret Besën, kurse takimi tjetër është derbi i Myzeqesë, midis Lushnjës dhe Apolonisë, që mund të vendosë shumëçka sa i përket ngjitjes në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Ky është edhe takimi më i spikatur i ndeshjeve të fundjavës në Kategorinë e Parë.
Dhe, si i tillë, do të sillet për sportdashësit të dielën drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, RTSH Sport, duke nisur nga ora 17:30. Fierakët, të cilët e kanë fituar 3-1 takimin e para pak javëve në shtëpi, mund të vulosin që të dielën rikthimin në Superiore, nëse triumfojnë në Lushnjë ndaj vendasve, të cilët, nga ana e tyre, do të synojnë të ruajnë të paktën vendin e dytë, për të shpëtuar diçka nga ky sezon, që duhet theksuar se skuadra e trajnerit Ilir Gjyka mund të kishte marrë më tepër.
Kategoria e Parë
Faza e 3-të:
“Play-off”:
Grupi A
Të shtunën, 5 korrik 2020:
Erzeni – Besëlidhja 1-2
Shënues: Xhixhua 69’ / Koleci 7′, Hoxha 49′
Kastrioti – Korabi 2-3
Shënues: Raza 56′, Gjinaj 85’ / Prendi 37‘, 64’, Mziu 88′
Grupi B
Të dielën, 5 korrik 2020:
Pogradeci – Besa (17:30)
Lushnja – Apolonia (17:30)
“Play-out”
Grupi A
Të shtunën, 4 korrik 2020:
Dinamo – Egnatia 1-0
Shënues: Reçi 62′
Veleçiku Koplik – Tërbuni Pukë 2-3
Shënues: Smajli 15′ Marinaj 31’ / Hasa 26′, Fejzaj 43′, Myslimi 70′
Grupi B
Të shtunën, 4 korrik 2020:
Turbina Cërrik – Devolli 1-0
Shënues: Koldashi 45′ (11-m.)
Shënkolli – Iliria Fushë-Krujë 2-3
Shënues: Zhuga 54′, Danaj 87’ / Pasha 15′, Doçi 57′, 90’+2
Elbasani – Oriku 1-0
Shënues: Duka 68′