AlbanianSport.com 05.12.2014 12:20
ASNN – Eqerem Memushi nuk do të jetë më trajneri i Tomorit, ndërsa sipas drejtuesve të klubit është larguar me dëshirën e tij. Humbja e papritur ndaj Naftëtarit në Kuçovë, 0-1, apo dhe probleme të tjera që shqetësojnë skuadrën, e cila tashmë ka dhe minus tre pikë për shkak të mos respektimit të kontratës me kroatin Vrucina, që është ankuar në FIFA, vlonjati i bankinës beratase nuk ka pranuar më ta drejtojë ekipin.
Por problemet nuk përfundojnë këtu. Lojtarët beratas dje nuk kanë dalë në stërvitje, ndërsa kanë bojkotuar atë për shkak të rrogave të padhëna. Parë kështu, shefi i klubit të Tomorit, Polizoi Kuqi, ka deklaruar se është me tifozët, të cilët kanë qenë të pakënaqur për atë që kanë dhënë skuadra në fushën e lojës, e cila është mundur 0-1 nga Naftëtari.
“Unë personalisht jam palë me tifozët beratas dhe gjithmonë do të mbroj interesat e tyre, – tha ai. – Përderisa nuk u kënaqën ata më atë lojë të turpshme ndaj Naftëtarit, normal që edhe ne duhet të marrim masa, pasi për këtë punë jemi këtu.” Ndërkohë Tomorin do ta drejtojë Madrid Muzhaj, ndërsa pritet që sot të ketë një zgjidhje të problemit të rrogave të prapambetura për të mos pasur përkeqësime të tjera të situatës në skuadër.