AlbanianSport.com 03/07/2020 20:10
ASNN – Sport pa tifozë është njëlloj si një koncert pa spektatorë. Kjo u bë mjaft më e dukshme dhe e prekshme gjatë këtyre 4 muajve të ndërprerjes për shkak epidemisë së shkaktuar në nivel global nga virusi korona. Por duket se normaliteti po përvijohet tanimë më qartë në horizontin e sportit, siç është edhe rasti i tenisit. Tanimë është zyrtare: “Roland Garros” do të jetë turneu i parë madhor i tenisit (që njihen si “Grend Slem”-e), që do të zhvillohet me publik, pas emergjencës shëndetësore, shkaktuar nga virusi “Covid-19”.
Lajmin e ka bërë të ditur në një konferencë shtypi vetë Presidenti i Federatës Franceze të Tenisit, Bernard Zhudiseli. “Këtë vit do të luhet me publik, – ka deklaruar ai, natyrisht, duke mos e fshehur krenarinë. – 20 mijë persona në ditë dhe 10 mijë maksimumi në finale.” Turneu francez, i shtyrë për shkak të epidemisë së virusit korona, do të nisë në 21 shtator, me ndeshjet e tureve eliminatore dhe do të vazhdojë deri në 11 tetor 2020. Biletat do të fillojë të shiten në Internet më 9 korrik për sponsorët, dhe për spektatorët në 16 korrik 2020.
Zhudiseli ka shpjeguar edhe se si do të kufizohet numri i spektatorëve në shkallët e komplekseve. “Në 3 fushat kryesore, “Philippe Chatrier”, “Suzanne Lenglen” dhe “Simonne-Mathieu”, tifozët në shkallët e tyre do të ndjekin një protokoll të rreptë. Në çdo radhë do të ketë një vend bosh, që do të ndajë çdo grup prej 4 personash, të një familjeje që duan të qëndrojnë bashkë. Në fushat e tjera, do të jetë një vend bosh midis dy personave për të respektuar distancën.” Kështu numri i spektatorëve, në finalen e “Roland Garros” do të jetë 50 deri në 60 % të kapacitetit normal.