AlbanianSport.com 03/07/2020 19:25
ASNN – Redon Dragoshi, futbollist i Luftëtarit, ka marrë një ftesë për të qenë pjesë e stërvitjes së kombëtares A, e cila do të kryhet në datat 6,7,8 korrik. Mbrojtësi 20-vjeçar e vlerëson shumë këtë fakt, dhe në të ardhmen shpreson të jetë me të vërtetë pjesë e formacionit të Kombëtares A. “Natyrisht që është një kënaqësi që vlerësohem në planin personal dhe padyshim do të jap maksimumin tim në këtë grumbullim, të cilin e shoh si një hap të parë drejt fanellës kuqezi”, – thotë ai.
Lufëtari ka rënë tashmë edhe matematikisht nga Kategoria Superiore, dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Të Parën. Por në radhët e saj, skuadra gjirokastrite ka patur lojtarë të rinj dhe të talentuar. Atyre iu mungonte eksperienca për t’u përballur me skuadrat e tjera elitare të Superiores. Por duket se talenti i këtyre djemve 20-vjeçarë nuk ka kaluar pa u vënë re nga Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila ka thirrur 4 prej tyre në zborin 3-ditor që do të zhvillojë Kombëtarja e të rriturve më 6,7 dhe 8 korrik.
Një prej tyre është edhe Redon Dragoshi. Mbrojtësi 20-vjeçar, e vlerëson faktin që është thirrur në kombëtaren A. “Ajo është një ëndërr e realizuar për mua, por për të luajtur aty, e di që duhet ende punë për të bërë” – ka theksuar futbollisti i ri. Megjithatë situatën e vështirë ku ndodhet, Luftëtari e vlerëson kundërshtarin, Vllazninë, skuadër me të cilën do të përballet në fundjavë dhe Dragoshi shpreson që të marrin edhe rezultat pozitiv.