AlbanianSport.com 03/07/2020 18:40
ASNN – Olimpiakosi i kapitenit i Kombëtares kuqezi ngadhënjen 3-0 në fushë të huaj, të shtunën, beteja e fundit. Të enjten është luajtur ndeshja e dytë e çiftit të parë të gjysmëfinaleve të “play-off”-it për titull të kampionatit helen të meshkujve. Volejbollisti shqiptar, Gazmend Husaj, ka lënë pas atë humbjen në ndeshjen e parë me skuadrën e tij, Olimpiakosin, duke fituar në takimin e dytë përballë Feniksit të Sirosit. Kështu, skuadra që shkon në finale, do të përcaktohet nga dueli i 3-të, që luhet të shtunën.
Gazmend Husaj, dhe skuadra e tij kanë dëshmuar se ajo humbje në 5 sete në fushën e vet të martën ka qenë një aksident, duke u rikthyer të mbizotërojë në takimin e dytë në fushën e Feniksit të Sirosit të enjten dhe ta fitojë atë në 3 sete dhe duke bërë kështu që fati i gjysmëfinales së “play-off”-it për titull në kampionatin grek të volejbollit, të vendoset në takimin e 3-të, që do ta luajë në shtëpi. Një nga të paktat vende të kontinentit të vjetër që ka rinisur sezonin e mbetur pezull në volejboll është Greqia.
Dhe të martën është luajtur ndeshja e parë e çiftit të parë të gjysmëfinaleve të “play-off”-it për titull të kampionatit helen të meshkujve dhe volejbollisti shqiptar, Gazmend Husaj, është mundur me skuadrën e tij, Olimpiakosin, përballë Feniksit të Sirosit. Skuadra mike e ka fituar kështu duelin e parë në 5 sete, por në takimin e dytë, të luajtur të enjten në fushën e vet, ka qenë skuadra e kapitenit të Kombëtares kuqezi që ka reaguar, duke fituar, madje në 3 sete.
Duket se, pasi ka nxjerrë mësime nga humbje në ndeshjen e parë, Olimpiakosi nuk i ka lënë asgjë në dorë rastësisë, duke e mbizotëruar plotësisht ndeshjen. Seti i parë ka qenë në fakt i luftuar, me lojën në barazpeshë në shumicën e saj, 8-6, 14-16 dhe 21-19, por skuadra mike bën diferencën në fazën finale. Olimpiakosi e fiton këtë set 25-22, ndërsa edhe më komanduese është paraqitja e skuadrës së Husajt në setin e dytë, të cilin e dominon fund e krye, 8-4, 16-8, 21-16 dhe e fiton atë 25-20.
Edhe seti i 3-të ka pak a shumë të njëjtën tablo, 6-8, 1614, 21-16 dhe skuadra mike e merr atë 25-19 dhe gjithë ndeshjen 3-0. Në bazë të formulës së gjysmëfinaleve, skuadra që fiton dy nga 3 takimet kualifikohet për në finale dhe gjithçka tanimë do të vendoset në duelin e 3-të dhe final, që do të luhet të shtunën, ku Husaj dhe Olimpiakosi do të synojnë fitoren dhe bashkë me të edhe vendin në finalen e madhe për titullin “kampion”.