AlbanianSport.com 01/07/2020 22:25
ASNN – Arbër Mehmetllari është një nga futbollistët e Luftëtarit, që ka marrë një ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit FSHF për të qenë pjesë e zborit 3-ditor që do të zhvillojë Kombëtarja e të rriturve, në ditët e para të muajit korrik, nga data 6 korrik deri më 9 korrik. Sulmuesi i skuadrës gjirokastrite shpreh kënaqësinë për këtë ftesë dhe shpreson që kjo të jetë një mundësi e mirë edhe për të luajtur në kombëtaren A.
Luftëtari ka zbritur matematikisht nga Kategoria Superiore pas katër vitesh radhazi pjesë e saj, por edhe në sezonin e rënies, sërish kërkon të bëhet protagonist me afirmimin e elementëve të rinj. Këtë kampionat skuadra gjirokastrite ka përbërjen më të re, me një moshë mesatare 21.7 vjeç. Pjesë e bluzinjve janë shumë futbollistë që kanë kaluar në Kombëtaret e moshave.
Por që vazhdojnë ende të jenë në vëzhgim nga trajnerët Nevil Dede dhe Alban Bushi, të cilët drejtojnë aktualisht Kombëtaren e Nën-19-vjeçarët dhe Nën-21-vjeçarët. Kësisoj, mbrojtësit Enes Isufi dhe Redon Dragoshi, si dhe sulmuesit Arbër Mehmetllari dhe Aldrit Oshafi, do të kenë fatin për t’u testuar nga trajnerët kuqezinj janë në sytë e “strategut” veteran, Edi Reja.
Në vitet e fundit ka pasur edhe raste kur direkt nga Luftëtari janë grumbulluar në ekipin Kombëtar A. Bëhet fjalë për Kristal Abazajn, i cili pasi shkëlqeu dy sezone me gjirokastritët, kapi Kombëtaren dhe gjithashtu bëri një transferim të madh tek Anderlehti. Këtë fundjavë, Luftëtari pret Vllazninë në fushën e vet, në javën e 32-të të Kategorisë Superiore.
Përkundër pritshmërive nga një ekip që tanimë ka prekur fundin dhe ka rënë edhe matematikisht nga Kategoria Superiore, Mehmetllari shpreson që skuadra e tij të arrijë të marrë pikë në këtë sfidë. Për të ardhmen, sulmuesi 20 vjeçar i Luftëtarit, synon të ketë oferta dhe të luajë jashtë Shqipërisë. Isufi, Dragoshi, Mehmetllari e Oshafi kanë luajtur mbi 20 ndeshje në Kategorinë Superiore gjatë këtij kampionati.
Ata synojnë duan të tregojnë vlerat e tyre dhe jo më kot zgjodhën Luftëtarin këtë sezon, pasi synonin të afirmoheshin në elitë. Dragoshi ka një të kaluar tek akademia e Tiranës dhe tek Erzeni, ndërsa Isufi ka qenë pjesë e Vllaznisë dhe Skënderbeut. Nga ana tjetër, Oshafi është produkt i Tomorit dhe ka luajtur pak muaj me Besën. Për shtatlartin beratas ky është sezoni i dytë te Luftëtari. Ndërsa Mehmetllari vjen pas aventurës te Lokomotiva e Zagrebit dhe Rudeshi në Kroaci.