AlbanianSport.com 30/06/2020 23:10
ASNN – Nga vendi i fundit në renditjen e Kategorisë Superiore, drejt e në grumbullimin me Kombëtaren kuqezi. Mund të duket si një shaka, por 4 futbollistë të Luftëtarit kanë marrë ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), për të qenë pjesë e Kombëtares së të rriturve të Shqipërisë, gjatë zborit 3-ditor që do të kryejë ajo në ditët e para të muajit korrik.
Redon Dragoshi, Enes Isufi, Arbër Mehmetllari dhe Aldrit Oshafi, të datëlindjes 2000, janë futbollistët që kanë tërhequr vëmendjen e stafit drejtues të Kombëtares kuqezi. Megjithë situatën aspak të mirë ku ndodhet Luftëtari, në kampionatin e kategorisë superiore, duket 20 vjeçarët që janë pjesë e formacionit gjirokastrit, kanë treguar cilësi të mira në lojë, e mund të jenë pjesë e ekipeve tona kombëtare.
Dragoshi dhe Isufi luajnë në repartin e mbrojtjes, ndërsa Mehmetllari dhe Oshafi janë sulmues. Ftesa për këta futbollistë ka mbërritur në zyrat e klubit Luftëtari. Ata duhet të kthejnë përgjigje deri më 1 korrik në FSHF nëse do të jenë të pranishme, në seancat stërvitore që do të kryejë kombëtarja A. Stërvitja do të kryhet në datat, 6, 7 dhe 8 korrik 2020 në Stadiumin “Selman Stermasi“ dhe Stadiumin “Arena Kombëtare”.