AlbanianSport.com 30/06/2020 20:10
ASNN – Epidemia e virusit korona, e cila shpërtheu në shkallë globale dhe shkaktoi paralizimin e gjithë sportit, natyrshëm që do të kishte edhe pasoja financiare, sidomos mbi sporte që grumbullojnë sasi të mëdha të ardhurash. Një e tillë është edhe Formula 1, e cila ka ndërmarrë ditët e fundit një hap mjaft të rëndësishëm në këtë drejtim, teksa ka vendosur t’u falë borxhin skuadrave pjesëmarrëse në të. Për dy vite, 2020-ën dhe 2021-shin, të gjitha skuadrat e Formula 1 nuk do t’i paguajnë asnjë organizmit që qeveris këtë kampionat prestigjioz të botës së automobilizmit.
Ky vendim u mor për të lehtësuar disi krizën financiare që ka përfshirë të gjitha kompanitë e prodhimit të makinave dhe ekipet pjesëmarrëse në Formula 1, shkaktuar nga epidemia e “Covid-19”-ës. Drejtori i Përgjithshëm, Çejs Keri, i emëruar nga kompania që zotëron të drejtat e organizimit të Formulës 1, “Liberty Media”, duket se ka gjetur zgjidhjen e duhur për të ndihmuar gjithë komunitetin të kapërcejë krizën financiare të krijuar nga epidemia e virusit “Covid-19”. Konkretisht, 500 milion dollarë në formë kredie nga ana e Formulës 1 jepen nga financuesit.
Kjo, për të rregulluar raportin midis debitit dhe kreditit, brenda të cilit Formula 1 është e detyruar të operojë. Zakonisht kjo gjë nuk ka qenë problem, sepse fitimet vjetore të F1-shit kanë qenë gjithnjë të mjaftueshme për të ruajtur këtë raport brenda limitit të kërkuar. Por në 2020, për shkak të situatës së krijuar nga “Covid-19”, krizës financiare që ka përfshirë të gjitha kompanitë dhe fabrikat e makinave, gjë që do të jetë e pranishme edhe në 2021-she, Formula 1 ka rrezikuar ta thyejë këtë rregull, sepse skuadrat pjesëmarrëse në të do ta kenë të vështirë likuidimin e këtij borxhi.
“Liberty Media” e ka marrë përsipër këtë rrezik, duke nxjerrë një amendament, që specifikon se “duke parë situatën aktuale të krijuar nga “Covid-19”, kjo marrëveshje fiananciare nuk do të aplikohet deri në 1 janar 2020”. Pra, kushtet e kontratës origjinale janë lënë pezull, deri në fund të 2021 për ta ndihmuar Formulën 1 të kalojë këto dy vite jashtëzakonisht të vështira. Drejtori Keri është i bindur se kjo lëvizje në kontratë, mund t’i japë një shtysë të madhe shoqërisë së automobilizmit. “Kjo lëvizje në marrëveshjen tonë për borxhin, së bashku me një bilanc solid e likuiditet të mundshëm, do të na jepet mundësia për ta kaluar këtë periudhë të vështirë”, – ka theksuar ai.